Shkruan: Doc.Dr. Bujamin Bela
Për një njeri apo shoqëri që ka përvetësuar besimi se gjithçka që ndodh në jetë, është e paracaktuar nga vullneti i një fuqie superiore dhe se nuk ka kuptim të mendosh dhe të planifikosh për të ardhmen paraqet nënshtrimin absolut, i cili anashkalon vullnetin dhe përpjekjen njerëzore.
Kjo pikëpamje është e dëmshme në perspektivën afatgjate, andaj pro-aktiviteti ose marrja e masave parandaluese kundër ngjarjeve dhe fenomeneve shoqërore, vendosja e sistemeve mbrojtëse, planifikimi në lidhje me të ardhmen dhe sforcimi i kushteve konsiderohen më se të nevojshme.
Kur në shoqëri përhapet ndjenja e pafuqisë, performanca e ulët dhe qëndrimet negative mendore, tendenca për t’u strehuar nën ombrellën e dikujt tjetër është e zakonshme.
Individët që arsyet e suksesit dhe dështimit të tyre i shohin vetëm tek forcat e jashtme dhe kushtet mjedisore u shmangin marrjes së përgjegjësisë, pasigurisë dhe marrjes së rreziqeve.
Prandaj të mundohemi të krijojmë kushte për zhvillimin e aftësisë dhe vetëbesimit tek të rinjtë ku ato do përpiqen të përmirësojnë mjediset e tyre për të qenë të suksesshëm, duke analizuar vetveten dhe shkaqet për suksesin dhe dështimin eventual.
Individët me vetëbesim janë të hapur për të mësuar dhe për të ndryshuar, meqenëse motivimi i tyre është tek vlerat, parimet, qëllimet dhe punët e tyre.
Nuk duhet të jetojmë në ankthin se “çfarë do të thotë bota”, por ta kultivojmë vetëbesimin, duke qenë të sigurt, të hapur ndaj bashkëpunimit dhe përparimit. Zhvillimi i ndjenjës së sigurisë ndër-personale është i mundur vetëm nëse ruajmë vlerat e ndershmërisë, efikasitetit, konsistencës, besnikërisë dhe çiltërsisë.