ABEDIN ISMAILI/ MAQEDONIA E VERIUT NË VEND TË GABUAR, “VAKËF VEND”

Raste pafund, skandale pa numër, vjedhje me maska e pa maska, pa ardhmëri, pa siguri, reformat pa forma, ndryshimet kanë ndryshuar formën, shpresa nuk mund të humbë sepse ska ekzistuar, po pra, katrahurë pa urë shpëtimi, me mur dëshprimi e zhgënjimi.

Hajnat në librari, librat shikojnë hajnat veprojnë, por librat nuk i frikësojnë sepse kishin dëgjuar që lexuesi nuk vjedhë dhe hajni nuk lexon. Këto raste të krijojnë përshtypjen se mos vallë ky vend është ndërtuar në vend të gabuar “vakëf vend” që gjithçka shkon mbrapsht.

Shoqëria hesht, hajni edhe kur vjedhë bisedon e bërtet, libraria dëmtohet nga hajnat që nuk turpërohen, hajni voton i votuari nuk e dënon, e pastaj sigurisht që rinia dëshprohet sepse i është vjedhur shpresa, ardhmëria, siguria, për të jetuar aty ku ka lindur.

Mirë se vini e keq na gjeni në bazën e hajnisë, ku ai që vjedhë pak shkon në burg, ai që vjedhë shumë të shti në burg, ku vendi lindjes bëhet vend pushimi, sepse banimi pamundësohet, vlerat i lëvizi era, moralin e mori moçali. Në fund lirshëm mund të thuhet se lindja në këtë vend është mallkim, vdekja është shpëtim, ikja është dëbim, kthimi është gabim. Situatë delikate, rrugë të hapura ardhmëri të mbyllur, liri e vdekur, vdekje e burgosur që sjellë liri.

Vend ku shitet liria, bëhet tradhëtia, gjithçka që bëhet e nuk bëhet te ne bëhet për para, gjithçka ka çmim!!!

Shkruan: Abedin Ismaili