Veprat e Valton Beqirit botohen në Shkup

Në një mjedis si i yni, ekziston një nevojë e jashtëzakonshme për shkrime muzikore e sidomos me një përparësi të lartë botime muzikore, por njëkohësisht është një mjedis i frikshëm për ata që marrin guximin të angazhohen në këtë fushë, dhe kështu hapësira për një zhvillim të shpejtë të saj ka qenë e kufizuar. Sidoqoftë, një numër botimesh janë realizuar dhe sot na shërbejnë si pika orientimi.

Fatmirësisht, trendi i botimeve muzikore sot është kthyer duke pasuruar fondin e saj. Pikërisht mbrëmë, më 23 dhjetor muzikës artistike shqiptare iu shtua edhe një botim me vlerë. Në sallën e Qendrës Kulturore Informative ne Shkup, u promovua botimi i miniaturave për flaut dhe piano nga kompozitori ynë i mirënjohur Valton Beqiri. Sipas recensentes të këtij botimi dhe njëkohësisht solistes së mirënjohur Venera Mehmetagaj-Kajtazi.

Ajo thotë se “këto miniatura ofrojnë mundësinë e përzgjedhjes së veprave nga njëra prej tyre e gjerë te kombinimi apo realizimi i tyre në tërësi”.

Ajo poashtu theksoi se “këto vepra do të jenë pjesë e shpeshtë e repertorit koncertal jo vetëm në suaza kombëtare por edhe ndërkombëtare”.

Në anën tjetër kompozitori Drinor Zymberi thotë se “këto vepra paraqesin një hap të rëndësishëm drejt pasurimit të literaturës muzikore për këtë formacion. Në rrafshin kompozicional ato paraqesin një sintezë në mes muzikës burimore shqipe dhe asaj profesionale – artistike, duke i bërë model atraktiv si për instrumentistin ashtu edhe për dëgjuesin.

Njëri nga anëtarët e panelit Blerim Grubi u shpreh mjaft i lumtur për këtë ngjarje. Sipas Grubit për komunitetin artistik muzikor dhe jo vetëm, kjo është një ditë e veçantë ku për herë të parë kemi një përmbledhje të veprave në një botim të vetëm”. Krahas mirënjohjes drejtuar autorit të miniaturave, vlen të theksohet kontributi, puna dhe angazhimi i ideatores së këtij botimi Sarana Ademi.

Për fund, në kuadër të këtij promovimi u interpretuan edhe disa nga veprat e këtij albumi nga flautistja Sarana Ademi nën përcjelljen pianistike të vetë autorit.

Ky botim është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë së veriut, komuna e Çairit si dhe komuna e Prishtinës.

Image