“Kjo vërtet është paraja e dhënë për këtë hotel”, thotë Philip Blackwell, teksa bën me gjeste drejt një vatre të mermertë, llambave të ndezura me hije të shtypura, dhe librave, librave e librave.
Ai po tregonte bibliotekën në “Ham Yard Hotel” në Soho, për të cilën ndërmarrja e zotit Blackwell “Ultimate Library” përzgjodhi pesë mijë libra për raftet, një akt i kurimit vizual.
“Ultimtate Library” shet libra për hotelet luksoze si “Ham Yard”. E themeluar më 2011, ajo ka kapitalizuar një shpërthim të interesit për librat si sende zbukurimi, që shfaqen thjesht në imazhet me rafte librash në Instagram dhe Pinterest, me hashtaget #shelfie apo #bookstagram.
Librat mund të jenë shënjues estetikë, një set shumëngjyrësh gjërash, ku kopertina e tyre shëmbëllen një shije të caktuar – apo diçka lozonjare që varet nga mënyra sesi aranzhohet.
“Më pëlqen t’i krahasoj librat fizikë me qirinjtë”, thotë zoti Blackwell. “Llambat e ndezura kryejnë punë, por ka një lloj qiriu të fortë estetik që i jep shpirt dhomës. Edhe librat e bëjnë këtë. Ata krijojnë teatër dhe dramë”.
Zoti Blackwell, 60 vjeç, është një erudit, i dashur dhe i lexuar. Thotë se bëhet “nevrik” kur nuk i ndodhet ndonjë libër. Ai vjen nga një familje që ka qenë në biznesin e shitjes së librave që nga viti 1879, kur një prej të parëve të tij themeloi “Blackwell’s Bookshop” në Oksford. Ai ishte i përfshirë në ndërmarrje deri në vitin 2006, kur hoqi dorë nga të qenit shef ekzekutiv i shitjes së librave dhe filloi udhëtimet përderisa ishte ende në punë.
M’u atëherë nisi diçka ta brengoste: në hotelet ku ai qëndronte, libraritë ishin të mirëmbajtura si mos më keq, plot me aso që ai i quante “libra jetimë”. Ato ishin edhe të shëmtuara.
“Hotelet bënin çmos për çdo aspekt tjetër të dizajnit të brendshëm, por jo edhe për librat”, thotë ai. Kjo solli “Ultimtate Library”, të cilën z. Blackwell e quan “projektin e tij të shkuar gabim”.
Ndërmarrja ka përzgjedhur libra për klientë nga më shumë se 40 vende, përfshirë Filipinet, Greqinë, Maldivet dhe Tanzaninë. Krahas hoteleve, ata përfshijnë restorante, banesa private, dyqane dhe anije (në rast se, fjala vjen, jahtit tënd i mungon një bibliotekë e përshtatshme).
“Ultimate Library” u përgjigjet kërkesave goxha të veçanta: një restorant në Paris dëshironte vetëm libra me kopertina të kuqe, apo një tjetër klient dëshironte një bibliotekë me tituj për Kinën dhe garat me kuaj.
Librat si sende zbukurimi nuk janë asgjë e re. Në vitet 1820 në Britani, librat zakonorë filluan të bëheshin të pëlqyer për elitat, me koleksione që duhej të ishin uniforme për një familje të vetme, ndonjëherë duke bartur xhufkën e tyre apo ndonjë shenjë tjetër.
MST: “Luksi inteligjent”
Koncepti i koleksioneve nisi të shpërndahej në tregun e gjerë. Në vitet ’20, botuesit amerikanë si “Modern Library” vunë një set të ripërdorur të klasikëve me kopertina të bukura që mund t’i blije si set.
Lindja e fotografive me rafte ka krijuar një ekonomi të tërë të re të librave si sfonde. Në fund të tregut është “Ultimate Library”, e cila shet atë që z.Blackwell e quan “luksi inteligjent”, libra të zgjedhur një nga një e që japin një ndjenjë të veçantë brenda një hapësire. Z. Blackwell thotë se çmimet sillen nga përafërsisht 2 mijë dollarë për koleksione të vogla deri në 150 mijë dollarë për biblioteka të tëra në shkallë të madhe.
Por ka edhe opsione si “Do it Yourself” për këdo që është i interesuar në krijimin e një biblioteke të bukur. Nancy Martin, pronar i “Decades of Vintage”, shet libra të cilësisë në sete me ngjyra apo stile. Një krah me libra të kaltër apo të kuq kushton 68 dollarë; por mund të marrësh abazhurë të ylbertë për 80 dollarë.
“Teoria ime është që para medias sociale, ju e zbukuronit hapësirën tuaj të jetesës dhe pastaj shkonit të jetonit në të”, thotë z. Martin. “Tani, me fillimin e angazhimit piktorial, ka njerëz që duan të jenë ndikues apo të jenë popullorë, dhe mënyra për ta bërë këtë është përmbajtja e re. Kështu njerëzit kanë filluar të kenë stilin e tyre për pushime. Librat janë vërtet një mënyrë e lirë për zbukurim”.
Ngjyrat e tyre shiten vetëm gjatë sezoneve.
“Në këtë kohë të vitit njerëzit fillojnë të blejnë të gjelbrën, kurse në verë blejnë të verdhën dhe bruzin”, thotë zonja Martin. “Çfarë dukurie. Njerëzit blejnë të kafenjtën, tullën, terrakotën dhe të portokalltën”. Nga koha e pushimeve, njerëzit do të blejnë diçka të artë apo të bardhë, ose ndonjëherë koleksione të veçanta nga e kuqja dhe e gjelbra. E kaltra është gjithnjë e gjelbër.
Lexuesit në pikëpyetje
Lehtë mund të ndihesh disi në siklet kur bëhet fjalë për idenë e librave që janë vënë me qëllim të bërjes së fotografive (rrengu i vjetër i aranzhimit të tyre me ylber është goxha acarues; Kinsey Marable, një kurator bibliotekash private me klientë si Oprah Winfrey, thotë: “Unë vërtet e përbuz këtë. Mendoj se është qesharake. Është absurde”). Pastaj pyetja e qartë: vërtet njerëzit lexojnë ndonjë prej këtyre librave?
Zoti Blackwell mendon se ata e bëjnë këtë, por edhe nëse jo, ata prapë kanë vlerë. “Dikush mund ta shohë një libër që ka dashur gjithmonë ta lexojë në një raft hoteli, dhe pastaj është në kokën e tyre, ai titull, dhe më vonë do ta marrin”, thotë ai. E madje edhe nëse askush nuk e bën, klientët të paktën blejnë libra, disa prej të cilëve askush nuk ka dashur t’i lexojë.
Chuck Roberts, një shitës librash të përdorur, e quan këtë “shpëtim librash”. Ai gjithmonë ka shitur libra zbukurues në dyqanet e tij dhe madje filloi edhe një biznes “Books by the Foot”, si një mënyrë për ripërdorimin e librave që nuk do të shiteshin në dyqanet e tij: një libër mbi shëndetin apo dietën që ka dalë prej kohësh nga moda, apo një bestseller i Stephen Kingut, që ka qindra kopje në dyqan. Thuajse të gjithë këta libra do të merren nga tregtarë të tjerë librash, thotë zoti Roberts.
“Books by the Foot” shet libra sipas ngjyrës (një bestseller si “Rainbow Ombre” shkon për 69 dollarë) apo nga tema, përfshirë “Arkitekturën” dhe “Biblat e mirëlexuara”. Ndërmarrja bën edhe koleksione të stilizuara sipas temave me emra remnishientë të freskuesve të ajrit. “Cape Cod” është një bestseller, por të tillë janë edhe “Irish Stout”, “Whispering Willows” dhe “Modern Enchanted Forest”.
“Kohë më parë shkova në Ishujt Aran, dhe ata kishin gjithë ato veshje, dhe ndieja sikur mund ta dyfishonim këtë ndjenjë me libra”, thotë z.Roberts. “Pra, kjo është përzierja jonë në Ishujt Aran, që shitet mjaft mirë”.
Në “Vintry & Mercer”, një butik i ri në Londër, atmosfera librare e krijuar nga “Ultimate Library” mund të përshkruhet më së miri si “Funny Money”. “Ne vërtet ishim të fokusuar në vendin këtu, që është qyteti me historinë e vet financiare, por edhe me Londrën lindore, që ka njëfarë rrokopuje”, thotë z. Blackwell.
Në një sënduk përgjatë perimetrit të lartë të bibliotekës së hotelit janë libra si “Kudos” i Rachel Cusk, “The Last London” nga Iain Sinclair, “Empire of Secret” nga Calder Walton, si dhe një koleksion i Virginia Woolf. Kopertinat janë kryesisht hije mes të bardhës, të hirtës, të zezës dhe asaj kafe, ashtu që të përshtaten me tavanin e veshur me një hartë cilësore. Por aty shfaqen edhe disa kopertina të kaltra që i përshtaten të kaltrës së mureve/ Sophie Haigney, “The New York Times”.
Burimi: kultplus.com