Ende pa u bërë një vit nga hapja, libraria “Nobel” në Shkup ka informuar se është në prag të mbylljes.
Pronari i kësaj librarie Muhamed Asllani thotë se e ka menduar për tre muajve dhe në fund vendosi që t’ia vë çelësin, për shkak të humbjeve të mëdha financiare. Ndonëse shumë funksionar e vizituan dhe u fotografuan në këtë librari, asnjë institucion nuk e ka përkrahur, thotë ai.
“Ne tani bëjmë një vjet nga hapja e librarisë, për dy tre javë dhe në llogaritë tona shifet se me të vërtetë nuk ka llogari, çdo muaj jemi në humbje, në përjashtim të muajit të parë, kur ishte hapja e librarisë dhe ishte interesimi i madh. Mesazhi im është se kultura dhe libri në Maqedoni nuk mund të mbijetojë pa mbështetje financiare nga dikush”, tha Muhamed Asllani – pronar i Librarisë “Nobel”.
Pronari i “Nobelit” thotë se po tenton ta shpëtoj librarinë, por pa sukses, ai po detyrohet ta shes. E interesuar për ta blerë është vetëm një librari fetare, tregon ai.
“Unë kam kërkuar që të mos mbyllet libraria dhe kam biseduar me njerëz të librit që t’ua shesim librarinë që të mos mbyllet libraria, sepse me të vërtetë aty kam dhënë maksimumin, e kam dhënë shpirtin tim. Puna më e madhe që kam bërë unë”, shtoi pronari i Librarisë “Nobel” Muhamed Asllani.
Aktivistja Rita Behadini për shtatë muaj ka qenë e angazhuar në këtë librari. Ajo thtë se Interesimi në fillim ka qenë tejet i lartë, por më pas ngelën vetëm lexuesit e rregullt të librit që nuk ishin shumë në numër.
“E kam përjetuar shumë keq dje momentin kur lexova që do të mbyllet, sepse kur u hap libraria unë kam dhënë mundim tim dhe kam qenë shumë e lumtur që më në fund kemi një hapësire ku mund të shkojmë të blejmë dhe lexojmë, meqë unë vij nga Tetova dhe atje kemi pasur gjithnjë hapësira. Kështu që një lajm i tillë është shumë dëshpërues jo vetëm për mua por për të gjithë shoqërinë sepse ju pamundëson të gjithë njerëzve, lexuesve që të gjejnë librat e preferuar në gjuhën shqipe, gjë që është për të ardhur keq”, u shpreh Rita Behadini – aktiviste.
Ndryshe libraria Nobel ka 10 vjet që funksionon në Tetovë dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë krizë financiare, ndërsa me 25 janar të këtij viti u hap edhe në Çarshinë e vjetër të Shkupit, por si duket nuk do të mbijetojë.
Burimi: TV 21