Është publikuar përkthimi në gjuhën shqipe i përmbledhjes me tregime “Burri im” i autores Rumena Buzharovska,
Pas suksesit të madh të këtij libri në rajon, të përkthimeve në italisht, anglisht, gjermanisht, hungarisht, përkthimin shqip e publikon shtëpia botuese Ili-Ili nga Shkupi, të përkthyer nga maqedonishtja nga Kreshnik Ajdini. Redaktimi gjuhësor është i Arian Lekës.
“Burri im” përmban 11 tregime të rrëfyera nga perspektiva e një gruaje, tregime të cilat flasin për jetën e tyre. Janë gra të cilat ne i takojmë dhe i shohim çdo ditë – amvise, artiste, afariste, profesoresha… Çdo tregim flet për marrëdhëniet e tyre me burrat dhe me fëmijët, me rrethin dhe me shoqërinë. Por, gjithashtu, secila prej tyre është një kritikë në vete për patriarkatin, i cili është aq thellë i gdhendur në shoqërinë tonë. Secila prej tyre flet për disa gjëra të përditshme, të cilat në shikim të parë janë të zakonshme, dhe pikërisht për shkak të kësaj është edhe pasqyrimi i një realiteti të heshtur nëpër të cilin çdonjëri prej nesh kalon.