“VITI I DREJTSHKRIMIT”/ Shkup, promovohet libri “Propozime për drejtshkrimin”

Sot, në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, duke e ruajtur traditën tashëm disavjeçare, u organizua një ngjarje për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit.

Përveç kësaj, në këtë ngjarje u promovua edhe libri dyvëllimësh “Propozime për drejtshkrimin”, i përgatitur nga prof. Rami Memushaj dhe i redaktuar nga prof. Xhevat Lloshi, një botim që vjen si rezultat i bashkëpunimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare nga Tirana. Kështu filluan edhe zyrtarisht aktivitetet e këtij viti për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.

Me këtë rast fjalën e hapjes e pati drejtori i ITSHKSH-së, Dr. Skender Asani, i cili theksoi se “Kongresi i Drejtshkrimit është kongresi i bashkimit të kombit. Andaj, ky botim dhe kjo ngjarje, që po mbahet në Shkup, është sfidë për të gjitha institucionet shkencore e arsimore

shqiptare”.

Si mysafir në këtë ngjarje fjalë përshëndetëse pati edhe Dr. Ylber Sela, drejtor i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës.

Në emër të Departamentit të Gjuhës Shqipe foli drejtuesja e këtij departamenti, Dr. Hidajete

Azizi, e cila theksoi se: “Sot, më 7 mars të vitit 2022, një gjysmë shekulli pas Kongresit të Drejtshkrimit, Departamenti i Gjuhës, respektivisht Instituti i Trashëgimisë, po nis aktivitetet

për shënimin e kësaj ngjarjeje madhore pikërisht me promovimin e një pune me vlerë, e një pune të palodhshme që është bërë me përmbledhjen në një vend të prurjeve studimore që na i sjellin dy vëllimet e librit ”Propozime për drejtshkrimin”.

Si iniciator i këtij botimi, foli edhe hulumtuesi shkencor, Dr. Zeqirija Ibrahimi, i cili tha se ”përmes këtij botimi, Instituti e ka dëshmuar anën e tij kundrejt gjuhës stadarde, duke e kthyer Shkupin një këndin më të rëndësishëm të albanologjisë”.

Para të pranishëmve fjalë rasti pati edhe Prof. Dr. Rami Memushaj, i cili foli për mënyrën se si është përpiluar vepra dhe për rëndësinë e madhe që ka ajo për gjuhën standarde shqipe.

Në fund foli edhe Prof. Dr. Xhevat Lloshi, i cili si ndër pjesëmarrësit e paktë të Kongresit të Drejtshkrimit, foli për peshën e madhe që ka gjuha standarde shqipe, si dhe për sfidat e globalizimit me të cilat përballet sot gjuha jonë. Mes tjerash, ai tha se “kjo vepër është një prurje shkencore që i sjell të sintetizuara të gjitha propozimet për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, që institucionet akademike t’i kenë të radhitura për të marrë çfarëdo vendimi për plotësimin e drejtshkrimit të gjuhës standarde shqipe.

Schoolture.info