Fundi i “Game of Thrones” ka zhytur në dëshpërim miliona fansa në të gjithë botën. Shumëkënd për finalen që nuk e kënaqi, të tjerë për faktin se një seri shumë e dashur tashmë ka përfunduar.
Një traumë e vërtetë, deri në atë pikë sa dikush ka menduar të ngrejë në këmbë një shërbim mbështetjeje psikologjike, për të gjithë ata që mund të ndihen “jetimë” të intrigave dhe aventurave të botës së Westeros.
Prerja e marrëdhënieve me serinë pas 8 vitesh mund të jetë shumë e vështirë. Ndaj dhe faqja angleze e internetit “Bark.com” ka menduar të vendosë në dispozicion një shërbim këshillimi psikologjik përmes aplikacionit “Skype”.
Mund të flitet me një ekspert, që duke njohur gjithçka nga “Game of Thrones” mund t’iu kthejë në normalitet dhe t’iu ndihmojë të pranoni tragjedinë e fundit të serisë.
Gjithçka për një shifër prej 25 dollarësh për një seancë 30-minutëshe dhe 50 dollarë për një orë. Një situatë kjo, thuajse në limitet e paradoksit, që në këto orë ka ndezur edhe shumë reagime satirike në rrjet.
Kishte nga ata që shkruanin: Në Oslo, projekti i parë i mbështetjes për të kapërcyer ndjenjën e braktisjes në fund të një serie televizive. Kjo do të ishte për të qeshur, nëse realiteti nuk do të ishte me të vërtetë i tillë.