Publikohet posteri dhe fotot e para nga filmi artistik i metrazhit të gjatë “I Treturi” i regjisorit Arben Thaçi. Skenari i filmit që është shkruar nga vet regjisori ka marr motiv nga romani i Abdylazis Islamit “Të Treturit e Projanës”.
Filmi është një dramë psikologjike me elemente të luftës që përfshin periudhën e fundit të luftës së dytë botërore. Protagonisti i filmit luajtur nga aktori Sotiraq Bratko duke shkruar kujtimet e tij përpiqet të na zbulojë diçka nga e kaluara e tij e mjegullt, diçka që e fsheh nga njerëzit, gruaja e tij (Eva Alikaj) madje edhe nga vetvetja. Ajo që na zbulon është plot faj, pendim e tmerr që nuk e kanë lënë të qetë për aq kohë sa është izoluar nga bota e njerëzit.
“I Treturi” është prodhim kinematografik i produksionit Arbfilm financuar nga Agjencioni i Filmit i Maqedonisë së veriut ndërkaq si bashkëprodhues minoritar është përfshirë Qendra Kinematografike e Kosovës përmes Ikone Studio me producentët: Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka si dhe Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë përmes produksion B&G Film Pro me producent Besnik Bisha.
Kasti i aktorëve përfshin emra të njohur nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria si: Sotiraq Bratko, Eva Alikaj, Kejdi Ademi, Sokol Monallari, Afrim Muçaj, Sheqerije Buçaj, Selman Lokaj, Blerim Ismani, Arsim Fazlia, Selman Jusufi, Adem Karaga, Refet Abazi, Neritan Liçaj, Enis Murati etj.
Autorët tjerë të filmit janë Vlatko Samoilovski drejtor fotografie, Bilgaip Koçishta në funksion të skenografit, kostumet janë dizajnuar dhe përgatitur nga Albulena Borovci dhe muzika është komponuar nga Trimor Dhomi.
Traileri i filmit do të promovohet të shtunën me 28 Nëntor 2020 në TV dhe në mediat sociale./ KultPlus.com