Dy shkollat e mesme tek të cilat Inspektorati Shtetëror i Arsimit konstatoi se kanë marrë para për plotësimin e dëftesave tashmë kanë vendosur për kthimin e tyre. Isan Emini, drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë, tha për Alsat se paratë do të kthehen brenda 7 ditëve.
Shkolla e mesme e mjeksisë “Nikolla Shtejn” Tetovë
“Me urdhër të Inspektoratit Shtetëror dhe me urdhërim tim si përgjegjës, mjetet e grumbulluara do t’u kthehen nxënësve në afat prej 7 ditëve. Mësimdhënësit ishin të paralajmëruar të mos mbledhin para, por të njejtat u mblodhën me pëlqimin e prindërve të nxënësve”.
Ndërkohë, drejtuesit e gjimnazit “Mirçe Acev” në Prilep kanë vendosur që paratë t’ua kthejnë nxënësve në ditën kur do të bëhet shpërndarja e dëftesave.
Gjimnazi “Mirçe Acev” Prilep
“Paratë në shumë prej 30 denarë, të marra nga nxënësit për plotësimin e dëftesave në mënyrë elektronike do të kthehen në ditën kur nxënësit do të marrin dëftesat. Kjo për shkak se shumë prej nxënësve tashmë kanë filluar pushimet me familjet e tyre”.
Avokati i Popullit mirëpriti masat e Inspektoratit të Arsimit, por shtoi se duhet të jenë akoma më të rrepta në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten në të ardhmen.
“Ligji mund t’i detyrojë shkollat në një afat të caktuar se deri kur mund të kthehen paratë. Gjithashtu, në të ardhmen masat mund të jenë më të rrepta në kuptimin të sanksionohet sjellja e tillë që mos të kemi raste sërish, që të praktikohen gjëra të cilat janë kundërshtim me ligjin”- deklaroi Vaska Naumovska, Avokati I Popullit
Ditë më parë, Inspektorati shtetëror i Arsimit konfirmoi marrjen e parave nga nxënësit në këmbim të dëftesave në dy shkollat e mesme të lartpërmendura ndërkohë që u inspektuan edhe dy të tjera, gjimnazi “Zef Lush Marku” Shkup dhe shkolla e mesme ekonomike “8 Shtatori” Tetovë. Inspektimet në shkolla erdhën pas ankesave nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme, sipas të cilëve nxënësit janë detyruar të paguajnë shuma të ndryshme parash për plotësimin e dëftesave me kompjuter. Pavarësisht problemeve të krijuara me dëftesat këto të fundit akoma nuk u janë dorëzuar shkollave. Nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit e cila duhet t’i sigurojë dëftesat kanë paralajmëruar se dëftesat pritet të jenë në duart e nxënësve deri në përmbyllje të vitit 2021 për shkak të gjendjes së krijuar me Covid 19.
Për këtë vit shkollor, me dëftesa janë furnizuar vetëm gjysmë-maturantët të cilët konkurruan në shkollat e mesme si dhe nxënësit të cilët duhej të vazhdonin shkollimin në shtetet e huaja.
Burimi: Alsat-M