Në koordinim me Trupin koordinues për zbatimin e Konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut solli Dekret për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe persona të tjerë të lirohen nga participimi për studim, njoftojnë nga shtypi i Qeverisë.
Me këtë Dekret, thonë nga atje, Qeveria u mundëson të gjithë personave me aftësi të kufizuara të regjistruar në ciklin e parë, të dytë dhe të tretë të studimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, të jenë të liruar nga participimi.
“Ky Dekret u mundëson personave me aftësi të kufizuara t’i realizojnë potencialet e veta dhe zhvillimin personal në bazë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë për t’u përfshirë në proceset e arsimit të lartë dhe për institucionet arsimore është një nxitje për të përshtatur kushtet dhe programet arsimore për këta bashkëqytetarë.
Në këtë mënyrë personat me aftësi të kufizuara zhvillojnë kompetenca në përputhje me preferencat e veta dhe bëhen konkurrent në tregun e punës”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.
Me këtë Dekret, shtojnë nga Qeveria, përveç të gjithë personave me aftësi të kufizuara, nga participimi i shkollimit përjashtohen edhe personat me status të fëmijëve pa prindër dhe përkujdesje prindërore, prindërit e papunë të fëmijëve dhe personat me statusin e invalidit të luftës.