Studentët që kanë aplikuar për të fituar bursë studentore për vitin akademik 2020/21 mund të marrin rezultatet e Konkursit. Studentët që janë fitues të bursës studentore, deri më 22 dhjetor duhet të dorëzojnë dokumentet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.
“MASH-i i publikoi rezultatet e Konkursit për ndarjen e bursave për studentët e rregullt deri në diplomim në ciklin e parë në universitetet publike dhe private dhe institucionet e arsimit të lartë në RMV në vitin akademik 2020/21”, njoftojnë nga MASH-i, duke sqaruar se studentët që nuk kanë fituar këtë të drejtë, do të mund të reagojnë në momentin kur të pranojnë arsyen e refuzimit.
Lista e kandidatëve fitues mund të shikohet KËTU.
Studentët që e kanë fituar këtë të drejtë, duhet të dorëzojnë tre kopje të marrëveshjes së plotësuar dhe kopjen e xhirollogarisë personale më së voni deri më 22 dhjetor në MASH, personalisht ose me postë. Ministria sqaroi se pranimi i dokumenteve do të bëhet edhe të shtunën.
Ndryshe, deri më 30 nëntor ka qenë i hapur Konkursi për 3 mijë bursa studentore në katër kategori të ndryshme, derisa rezultatet e Konkursit do të shpallet më 21 dhjetor. Vlerat e bursave studentore lëvizin nga 3.300 denarë deri 18 mijë denarë në muaj për studentët e kimisë, fizikës dhe matematikës.