TAKIMI/ Ministri Shaqiri: Greva nuk e tejkalon sfidën, krijon probleme shtesë

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri ka deklaruar se greva e përgjithshme në arsim jo vetëm që nuk e tejkalon sfidën, por përkundrazi krijon probleme shtesë. Gjatë takimit me sindikalitët, Shaqiri  ka thënë se mosmbajtja e mësimit ndikon në socializimin e nxënësve dhe krijon boshllëqe në njohuri që janë më të vështira për t’u plotësuar. Sipas tij, nxënësit tashmë kanë humbur shumë  duke studiuar në rrethana të jashtëzakonshme dhe kushte pandemie.

 “Ju bëj thirrje si kryesi e sindikatës që të ndryshoni politikën e shprehjes së pakënaqësisë në këtë mënyrë dhe t’i jepni mundësi dialogut social. E dimë edhe ju si sindikatë edhe ne si institucione se kjo është alternativa më e mirë për të tejkaluar çdo situatë në të cilën ka mosmarrëveshje” , ka deklaruar ministri Jeton Shaqiri.

Ministri Shaqiri u ka premtuar sindikalistëve se do të ketë paga më të larta për mësuesit, duke thënë se e mbajnë fjalën ashtu siç kanë bërë në tre raste në vitet e kaluara, duke rritur të ardhurat personale të punonjësve të shkollave me mbi 21%.