Të inkurajojmë të rinjtë në vend që të mësojnë gjuhën italiane, për të avancuar aftësitë e tyre gjuhësore dhe më e rëndësishmja, për të përforcuar marrëdhëniet e shkëlqyera me popullin italian, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në Konferencën e parë nacionale për gjuhën italiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila u mbajt sot në Shkup.
“Kjo është mundësi e shkëlqyer për të diskutuar trendet dhe perspektivat e studimit aktiv të gjuhës italiane në vend, si pjesë e sistemit arsimor nacional dhe si gjuhë për mundësi profesionale, kulturore dhe akademike.
Gjatë 5 viteve të fundit gjuha italiane si gjuhë e huaj e dytë mësohet në 19 shkolla fillore dhe 8 shkolla të mesme në vend ndërsatashmë për të dytin vit radhazi Shkolla e Mesme e Qytetit të Shkupit, Gjimnazi Nikolla Karev, regjistron nxënës në të ashtuquajturat paralele bilinguale, ku gjuha italiane mësohet 6 orë në javë, gjë që na jep mundësinë të mendojmë për hapjen e këtij lloji të paraleleve edhe në qytetete tjera të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ministri Shaqiri.
Të mësuarit e gjuhës italiane në sistemin arsimor maqedonas daton që nga viti 1959 në kuadër të Katedrës së gjuhës rumane dhe për 13 vjet, gjuha italiane është ndarë dhe mësohet në katedrën e veçantë, në të cilën deri më tani kanë diplomuar më shumë se 800 mësimdhënës dhe përkthyes.