Rumbullaksohet procesi i rikonstruimit të shkollave

Në këtë periudhë është duke u rrumbullaksuar procesi i renovimit të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Tetovës. Sipas drejtuesve të sektorit për arsim në këtë komunë, tashmë është tejkaluar edhe problemi me borxhet e shkollave të mesme të trashëguara nga vitet e kaluara. Pas tejkalimit të problemit me borxhet dhe zhbllokimin e xhiro-llogarive të këtyre shkollave, më pas është vijuar me investimet në disa shkolla. Këtë e thotë udhëheqësi i Sektorit për arsim në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi. Sipas tij, kujdesi këtë vit është tek objektet e shkollave të mesme. “Këtë vit kemi një konsolidim më të mirë financiar të shkollave të mesme dhe kemi paguar një pjesë të madhe të borxheve të trashëguara dhe menduam që të bëjmë investime. Është në proces e sipër rikonstruimi i tërësishëm i Gjimnazit të Tetovës “Kiril Pejçinoviç”, atje është duke u punuar në mënyrë intensive dhe do të kemi një shkollë mjaft moderne të rikonstruuar. Në gjimnazin tjetër “7 Marsi” jemi duke e digjitalizuar tërë procesin mësimor, sepse këtë vit kemi bërë kabinete virtual, ku mësimi do të mund të zhvillohet në mënyrë virtuale. Ky gjimnaz do të jetë i vetmi me kabinete të kësaj natyre”, deklaroi Qazimi.

Parashihet që këtë vit të fillohet me investime edhe në tre shkollat tjera të mesme në Tetovë, respektivisht në Shkollën e mesme ekonomike “8 Shtatori”, në Shkollën e mesme Tekstile dhe në Shkollën e mesme të mjekësisë. Problem gjatë këtyre viteve ishte Shkolla e mesme e mjekësisë, e cila jashtë saj, por edhe brenda ishte e dëmtuar shumë. Tashmë në këtë shkollë, sipas autoriteteve të komunës, është duke u punuar në sanimin e problemeve. “Do të bëhen investime që kanë të bëjnë me rregullimin e hapësirave për mbajtjen e mësimit praktik. Në vijim e sipër janë duke u zhvilluar punë rreth rikonstruimit të shkollës së mesme të mjekësisë. Është duke u bërë rikonstruimi i tërësishëm në brendinë e shkollës dhe po ashtu është duke u sanuar fasada e dëmtuar jashtë këtij objekti që vite me radhë është çarë. Punët në këtë drejtim janë në përfundim e sipër. Pas kësaj, do të fokusohemi që të rregullojmë infrastrukturën jashtë objekteve shkollore, kryesisht rregullimin e terreneve sportive, që do të jenë konform me kërkesën dhe nevojën e kohës. Pra, me një fjalë do të tentojmë që të furnizojmë shkollat me pajisje të nevojshme dhe moderne për zhvillimin e orës së edukatës sportive”, theksoi Qazimi.

Kohë më parë në Tetovë ishte rregulluar edhe Çerdhja për fëmijë afër Qendrës sportive në Tetovë. Krahas kësaj, në të ardhmen pritet që fokusi të jetë edhe në rregullimin e oborreve të këtyre çerdheve për nevojat e fëmijëve. (koha.mk)