Regjistrimi online në shkollat e mesme po has në probleme

Aplikimi online për regjistrim në Shkollat e Mesme vazhdon të ketë pengesa. Bllokime të sistemit për aplikime online dhe vështirësi kanë pasur edhe në Shkollën Profesionale “8 Shtatori” në Shkup, shkruan Alsat.

Zëvendës drejtori Fitim Axhami thotë se në disa raste nxënësit kanë ardhur në shkollë për tu regjistruar me ndihmën e profesorëve.

“Kishim problem gjatë aplikimit të nxënësve, shkaku ishte ngarkesa e madhe e sistemi. Kjo kryesisht ndodhi ditën e parë, ditën e dytë ishte më në rregull, edhe sot kishim disa nxënës që nuk kanë mundur të aplikojnë prej në shtëpi, kanë ardhur në shkollën tonë dhe kanë aplikuar me ndihmën e profesorëve tonë. Edhe sot kishim probleme të tilla por ishin të shkurta dhe u tejkaluan”, u shpreh Fitim Axhami, ndihmës drejtor “SH.P. 8 Shtatori”.

Por sipas ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, sistemi për aplikimin online del i suksesshëm pasi deri më tani më shumë se 14 500 nxënës kanë aplikuar online dhe rreth 11 000 nxënës me testime janë pranuan përmes këtij sistemi.

“Është një gjë për të përshëndetur dhe mua më vjen mirë që reagime ka pozitive, ka pasur raste që individ kanë pasur vështirësi, ka pasur raste por çdo lloj procesi ka vështirësi”, tha Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.

Konkursi për shkollat e mesme, për vitin e ri shkollor 2022-23 ka paraparë 30 mijë vende të lira për gjysmë-maturantët në gjimnaz dhe drejtimet profesionale./Alsat.mk