S’ka dëftesa për tetë klasat e para, ministri Shaqiri thotë se faji është i byrosë

Këtë vit nxënësit e shkollës fillore, gjegjësisht nga klasa e parë në të tetën, ende nuk i kanë marë deftesat e përfundimit të vitit shkollor. Këtë e pranoi edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri. Ai thotë se furnizimi me dëftesa është kompetencë e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, që është drejtori e veçantë dhe jo e Ministrisë së Arsimit. Megjithatë, tha se ka reaguar ndaj kësaj problematike dhe nga atje janë arsyetuar që për shkaqe administrative, furnizimi me dëftesa ende nuk është bërë. Mirëpo, premtoi se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti.

Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit 

“Edhe unë kam reaguar si ju…kam ngritur këtë shqetësim. Procedurat administrative të Byrosë, vërejtja ime i është drejtuar Byrosë, nuk duhet lënë momentin e fundit për t’i planifikuar se do na sjellin në këtë lloj vështirësie. Procedura administrative në aspektin e sigurimit të këtyre deftesave, janë në komunikim institucional Byroja për Zhvillimin e Arsimit”.

Vitet e kaluara pas përfundimit të vitit shkollor më 10 qershor, nxënësit pas 10 ditëve deri 2 javë, i kanë marrë dëftesat për suksesin e vitit shkollor. Por, këtë vit nuk ka ndodhur kështu dhe as nuk dihet se kur do të bëhet furnizimi me deftesa. Disa prindëvë të nxënësve u janë dërguar sms porosi se deftesat e këtij viti, do të merren në shtator. /SHENJA/