Qendra Shtetërore për Provime ka sqaruar që provimi i maturës gjatë këtij vitit do të mbahet më 27 maj dhe 10 qershor, por akoma nuk është sqaruar nëse do të ketë shkurtim të materialit, raporton Portalb.mk.
Materiali mund të shkurtohet për shkak të orëve të humbura për shkak paralajmërimeve për bomba, si dhe për zgjatjen e pushimit dimërore.
Provimi shtetëror është kusht për regjistrimin në fakultet. Afati i dytë i provimit do të jetë më 8 dhe 11 gusht.
Ministri i arsimit, Jeton Shaqiri, më herët kishte kërkuar nga shkollat të gjejnë mënyrë që të realizojnë materialin e humbur gjatë kësaj periudhe.
“Për materialin në lidhje me atë se çka duhet të mësohet, pyesin të gjithë. Edhe ne profesorët, prindërit dhe nxënësit. Shumë orë janë humbur, alarmime ka pasur vetëm te nxënësit më të rritur”, deklaroi profesori Tatjan Aleksiq për Meta.mk.
Përveç testimit ekstern dhe intern, maturantët duhet të përgatitin edhe projektin punues, punim i cili duhet të jetë gati deri në shkurt, pastaj të prezantohet.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut, përkatësisht disa qytete të saj, që nga 26 tetori i vitit 2022, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.
Tani me nisjen e pushimeve dimërore, kërcënimet janë ndërprerë dhe pritet të shihet nëse të njëjtat do të rifillojnë pas festave, posaçërisht pas nisjes së nxënësve në shkolla ku kërcënimet ishin më të shpeshta.
Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.
Të tilla kërcënime për bomba ka pasur edhe në Serbi dhe Mal të Zi.