Numri i nxënësve nëpër klasa, sipas propozim-ligjit të ri për arsimin fillor në RMV

Nga 17 maji filloi përpilimin i propozim-ligjit të ri për arsimin fillor, ndërsa më 5 qershor është publikuar versioni final i propozim ligjit të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), njofton Portalb.mk.

Një nga problemet në arsim është edhe numri i nxënësve nëpër paralele (klasa). Neni 49 i këtij propozim-ligji sqaron këtë problematikë, duke treguar numrin minimal dhe maksimal të nxënësve nëpër klasa. Gjithashtu tregohet se kur përmbushen kushtet që të formohet një paralele e re.

Neni 49, paragrafi (4): Numri i nxënësve në paralele është nga 20 deri 30 nxënës.

Neni 49, paragrafi (5): Paralelja mund të formohet edhe me më pak se 20 nxënës pas marrjes së pëlqimit nga themeluesi, i cili duhet të merr paraprakisht mendim pozitiv nga Ministria, sipas paragrafit (7)

Neni 49, paragrafi (6): Paralelja mund të formohet edhe me më pak se 15 nxënës, vetëm për mësimin në lëndët zgjedhore.

Neni 49 e parashikon edhe mundësin e formimit të paralele të kombinuara, gjithmonë me pëlqimin e themeluesit, i cili paraprakisht duhet të merr mendim pozitivi nga Ministria (paragrafi 8 dhe 9). Por, klasat e kombinuara duhet të jenë me nxënës nga klasa e parë deri në të tretën, gjithashtu mund të formohet me kombinimin e nxënësve të klasave të katërta dhe pesta, por mund edhe të formohet me kombinimin e nxënësve nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë. Paralelet e kombinuara nuk mund të kenë më shumë se 10 nxënës.

Ndërsa, sa nxënës me aftësi të kufizuara mund të ketë brenda një paralele, e përcakton ‘ekipi inkluziv i shkollës’, ekip i paraparë të formohet për herë të parë sipas ligjit në fjalë.

Me këtë ligj do të rregullohet procesi edukativo-arsimor që zhvillohet në shkollat fillore. Ligji i ri për arsimin fillor përmban gjithsej 183 nene.

Përndryshe, akoma vazhdon debati publik në lidhje me përpilimin e versionit final për Ligjin e arsimit fillor, duke e marrë parasysh që çdokush mund të jep kritika dhe propozime online KËTU, në programin e Regjistrit të vetëm nacional elektronik në RMV.