Shfuqizimi i maturës shtetërore për shkak të virusit korona nuk do të vlej edhe për maturantët e gjeneratës 2018-2019 ose vitet paraprake. Përkatësisht, prej vitit që hyri në fuqi matura shtetërore. Ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha se nxënësit e gjeneratës së lartpërmendur, të cilët deri në fund të dhjetorit e kanë paraqitur maturën shtetërore, maturën shkollore ose provimin përfundimtar do t’u nënshtrohen provimeve të zakonshme si kusht për tu regjistruar në institucionet e Arsimit të lartë.
Përafërsisht, numri i të paraqiturve nga vitet paraprake shkollore që e kanë paraqitur provimin e maturës shtetërore është rreth 1.300 -1.400. Ndërsa, Qendra Shtetërore e provimeve i di detyrimet e saja, është organ I cili ka për detyrë dhe të drejtë të organizojë provimin e maturës shtetërore. Do të vizitohen komunat ku ka nxënës që e kanë paraqitur këtë provim dhe do ta organizojmë provimin e maturës shtetërore duke respektuar të gjitha rekomandimet e autoriteteve shëndetësore – deklaroi Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Pavarësisht përpjekjeve, nga drejtoria e Qendrës Shtetërore të Provimeve nuk pranuan të sqarojnë për Alsat detajet rreth organizimit të maturës shtetërore për këtë kategori. Burime brenda këtij institucioni konfirmuan se maturën shtetërore nga gjeneratat e kaluara e kanë paraqitur 1.400 nxënës. Gjithashtu, sipas burimeve të njëjta, akoma nuk është caktuar data e mbajtjes së provimeve. Fillimisht, parashihet fundi i muajit qershor ose muaji korrik. Po këto burime sqarojnë se fati i realizimit të këtyre provimeve do të varet edhe nga gjendja e jashtëzakonshme me virusin korona. Matura shtetërore u dedikohet nxënësve të gjimnazit dhe të arsimit të mesëm profesional katërvjeçar. Përveç asaj që paraqet pjesë përfundimtare të arsimit të mesëm ka për qëllim të shërbejë edhe për seleksionimin e kandidatëve për regjistrim në arsimin e lartë. Matura shtetërore mbahet sipas programeve të posaçme të provimit të cilat bazohen në programet arsimore për lëndët përkatëse të cilat janë të përfshira në listën për maturë shtetërore.
Burimi: Alsat-M