Jeta e Re

Shkruan: Latif Mustafa

Më në fund duket dielli në horizontet e largëta. Paralajmërimet për përfundimin e pandemisë kanë marrë dhenë. Nuk thuhet se virusi po merr fund, po zhduket ose po venitet gjetiu, por pandemia. Ashtu siç e kemi shpallur pandeminë, ashtu edhe po e mbyllim. Në shtetet fqinje jeta ka filluar të kthehet në normalitet, por vërehet qartë se rregullat e lëvizjes janë shtrënguar, ndërsa masat e survejimit priten të jenë më të fuqishme, më depërtuese.

Ngaqë akoma na duket si në ëndërr, mezi presim ta vazhdojmë zhgjëndrrën aty ku lamë, me gënjeshtrat e njëjta, urrejtjet, hipokrizitë, indiferencën dhe shpresën e rreme se bota gjithmonë ishte dhe do mbetet ashtu siç ishte. Një jetë e re në vigjilje. Një ringjallje dhe një besatim i ri na pret. Na ka marrë malli për lirinë! Por, ama për një liri të çliruar nga egoja. Mbase shpesh liria ka qenë sinonim dhe alegori e egoizmit dhe përzgjedhjeve tekanjoze, por situata që e kaluam na dha mësimin se e mira e kolektivit është privim nga liritë personale. Njashtu edhe respekti, njashtu edhe dashuria kur heq dorë nga vetja, për t’i dhënë tjetrit. Njashtu siç i jepemi fëmijës, pa asnjë besim kompensimi, por thjesht, dashuri e pastër, dashuri pa pritje e pa kompensim. Kujt nuk i shkrihet egoja si borë në duart e dashurisë, do i shkrihet dashuria në dorë si borë.

Një gjë tjetër që e mësuam është gjatë pandemisë është karakteri vetmitar i lutjes. Lutja është ngashërim, përulje dhe shprehje e vogëlsisë njerëzore ndaj madhështisë së Qenies, e cila qenieson çdo gjë në këtë botë. Lutja, për më tepër se një ritual kolektiv dhe i përsëritur, doli të jetë një soditje e vetëshpalosjes së bukurisë së Zotit, kujtimit për mungesën e saj, zgjimin e kërshërisë për ta ripërjetuar atë, sikur pas çdo agu mëngjesi kur e përjetojmë përqafimin diellor gjersa rrezet e tij i përkëdhelin fytyrat tona. Njeriu, përfundimisht, duhet çliruar nga parajsa seksuale dhe duhet ta ndalojë rolin e demiurgut. Ai është qenie që i subordinohet një rendi të madh kozmik, tashmë të krijuar, i cili pret të njihet, të përbrendësohet dhe të shkatërrohet autoreferencialiteti subjektiv njerëzor. Nënshtrimi është shpëtimi.

Në vigjilje na pret një jetë e re, një frymë e re dhe një vetëpërceptim i ri politik. Njeriu mbetet kriteri i të gjitha gjërave, jo në kuptimin relativist të fjalës, por në kuptimin e rëndësisë jetësore. Përmasat e biopolitikës si teknologji e kontrollit dhe sundimit mbi trupat fizikë individualë dhe kolektivë të njerëzve do të zgjerohet në krijimin e tentakulave të reja të survejimit dhe kontrollit, duke e degraduar edhe më tepër dinjitetin njerëzor në emër të mbrojtjes fizike tij, kjo si aparat kontrolli dhe disiplinimi. Përpjekjet politike alternative duhet t’i tejkalojnë kornizat tradicionale të manifestimit dhe aplikimit për të gjetur rrugë të reja rreth kanosjes së bjerrjes dhe zhbërjes së identitetit, integritetit dhe dinjitetit njerëzor. Njerëzimi është një shtrirje e vazhdueshme e një gjendjeje entropie. Një jetë e re nënkupton ngadalësimin e kësaj entropie përmes një motivi të fuqishëm metafizik. Ky motiv nuk mund të jetësohet gjersa metafizika të mos i subordinohet Transcendencës si realitet i fundit, i brendshëm, i jashtëm, i pa fillim dhe i pa mbarim.

Jeta nuk është asgjë tjetër, pos kohë e shpenzuar për t’i dhënë kuptim vdekjes. Me i dhënë kuptim është çfarëdo shpjegimi racional që e zbut ankthin dhe frikën për imagjinatën tej saj. Por, ankthi i vdekjes nuk është veç peripecia pas saj, por lemeria e humbjes, zhvendosjes dhe ikjes së të dashurve tanë. Një jetë e përmbushur me dashuri pranë të dashurve tanë e lehtëson çdo perceptim të makthshëm për vdekjen. Pandemia na e mësoi mirë se koha e kaluar me të dashurit tanë është kohë që e shpien vdekjen tej dhe e bën të huaj për ne dhe, të kundërtën, se jeta s’ka asnjë vlerë gjersa mbytemi në vetminë tonë. Për të qenë të lumtur nuk na mjafton vetvetja, sepse ne nuk jemi as kafshë e as Zot! Le ta gëzojmë jetën e re!

*Editoriali i numrit 109 të Revistës Shenja