Ministria e Arsimit dhe Shkencave (MASH) po e shqyrton ultimatumin e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme (UNSHM) që mësimi në të gjitha shkollat e vendit të zhvillohet në mënyrë të kombinuar. Por, nga ky dikaster thonë se vendimi nuk varet vetëm prej tyre nëse nga 1 tetori do të mësohet vetëm “on-line” apo edhe me prani fizike nga klasa 4 deri në të 9 dhe në shkollat e mesme. Fjalën e fundit sipas tyre duhet ta thotë Qeveria.
Për momentin të gjitha shkollat janë duke u përgatitur për të filluar vitin shkollor më 1 tetor. Me prani fizike do të nisin nga klasa e parë deri në të tretën. Të gjitha shkollat të tjera, të cilat nuk do ti plotësojnë kushtet e parapara sipas protokolleve për mësim, procesin edukativ-arsimor do ta zhvillojnë përmes platformave “on-line – shprehen nga Ministria e Arsimit.
Deri më tani në Komisionin e posaçëm qeveritar kanë mbërritur 36 kërkesa për zhvillimin e mësimit me prani fizike, edhe atë 15 shkolla të mesme dhe 21 fillore. Komisioni në afat prej 7 ditësh do të shqyrtojnë çdo kërkesë, por gjithsesi ata thonë se fjalën përfundimtare do ta ketë Komisioni për sëmundje ngjitëse.
Rekomandimet tona gjithmonë do të jenë në përputhje me situatën epidemiologjike në vend, e cila ndiqet në baza ditore. Në varësi të saj do të gjendet zgjidhja me e përshtatshme, duke u arritur baraspesha ndërmjet zhvillimit të mësimit nëpër shkolla dhe shëndeti publik – thonë nga Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse.
Këto qëndrime të autoriteteve arsimore dhe shëndetësore erdhën pas kërkesave të vazhdueshme të shoqatave të nxënësve, të cilat kërkojnë ose mësim të kombinuar ose bojkotim të vitit shkollor. Në vend ka 987 shkolla fillore dhe 132 shkolla të mesme publike, por rikthimi në bankat shkollore varet nga ecuria e pandemisë në vjeshtë.
Burimi: Alsat