Disa shkolla të Pollogut kërkojnë mësim me prezencë fizike

Në territorin e komunës së Gostivarit, se nxënësit a do të mësojnë online ose me prezencë fizike, këtë do ta vendos Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Një pjesë e shkollave kanë kërkuar që mësimi të zhvillohet online, kurse disa kanë kërkuar që mësimi të zhvillohet me prezencë të nxënësve në shkollë. Disa shkolla madje kanë kërkuar edhe një model të kombinuar. Shkollat kërkesat e tyre i kanë adresuar deri në sektorin për arsim, kurse më pas kërkesat do të drejtohen në MASH.

“Me shkollat bëjmë përpjekje që të fillojmë vitin shkollor me prezencë fizike. Në ato shkolla ku kemi hapësira që të zhvillojmë mësimin me prezencë fizike. Për shembull, në shkollën e mesme Ekonomike ka më pak nxënës dhe mund të fillojmë vitin shkollor ku nxënësit do të vijnë në shkollë, në mjekësi do të fillohet me mësim online, kurse në shkollat fillore, për shembull në “Goce Dellçev” dhe “Yahya Kemal”, mësimi do të jetë online dhe me prezencë fizike, në shkollën “Bashkimi” dhe “Ismail Qemali” mësimi do të zhvillohet me prezencë fizike, kurse të gjitha shkollat në vendet rurale planifikojnë që mësimin ta zhvillojnë me prezencë fizike të nxënësve për shkak të numrit të vogël të nxënësve”, tha Aslian Snopçe udhëheqëse e Sektorit për Arsim në komunën e Gostivarit.

Derisa pritet që Ministria e Arsimit dhe Shkencës të merr vendim përfundimtar në shkollat e Gostivarit është duke u zhvilluar një aksion humanitar për nxënësit që vijnë nga familje me të ardhura të vogla, ku janë duke u grumbulluar çanta dhe mjete shkollore. “Aksioni për dhurimin e çantave do të zgjasë deri më 20 shtator dhe shpresojmë se do të përfshihen të gjithë nxënësit që kanë nevojë. Janë paraqitur mbi 500 nxënës që kanë nevojë, kurse mund të dhurojë çdo kush që ka mundësi, si çanta, lapsa, fletore dhe gjëra tjera të nevojshme për nxënësit”, thonë nga sektori për arsim në komunën e Gostivarit. Në ndërkohë në Tetovë, pesë shkolla fillore  kanë kërkuar që mësimi të zhvillohet me prezencë fizike, bëhet fjalë për shkollat, “Rexhep Voka” në Shipkovicë, “Rilindja” në fshatin Sellcë, “Besa”në fshatin Veshallë, “Goce Dellçev” dhe “Kikish”, në Tetovë. Këta pesë shkolla kanë dorëzuar në sektorin për arsim kërkesë që nxënësit nga klasa e parë deri në  të nëntën mësimin ta zhvillojnë me prezencë fizike. Bëhet fjalë për shkolla që janë të vendbanimeve rurale në komunën e Tetovës dhe kanë numër shumë të vogël të nxënësve dhe mësimi mund të zhvillohet pa u rrezikuar shëndeti i fëmijëve.

Kërkesat janë dërguar në Ministrinë e Arsimit dhe pritet vendim prej atje, njoftuan nga Sektori për Arsim në komunën e Tetovës. Shkolla tjera të Tetovës kanë numër të madh të nxënësve dhe tejkalojnë numrin e nxënësve prej 500, kështu që shumë vështirë e kanë që të zhvillojnë mësimin me prezencë fizike në bazë të protokolleve. Deri më tash ajo që dihet është se nxënësit prej klasës së parë deri në klasën e tretë do të shkojnë në shkollë dhe do të ndjekin mësimin me prezencë fizike. Drejtoritë e shkollave në të gjitha komunat e Pollogut, janë duke bërë përpjekje që të adaptojnë objektet shkollore që më 1 tetor të jenë të gatshme për të pranuar nxënësit. (koha.mk)