MASH/ Shaqiri: Prioritet e kemi avancimin e arsimit në gjuhën amtare për nxënësit nga bashkësitë etnike

Kur flasim për fëmijët që i përkasin komuniteteve të vogla etnike, mësimi në gjuhën e tyre amtare është një kusht i rëndësishëm për reduktimin e dallimeve në arsim. Me ushtrimin e të drejtës për arsimim në gjuhën amtare që në moshë të vogël përmirësohen rezultatet e të nxënit, nxitet tek fëmijët interesi për të mësuar dhe fituar dituri, rritet vetëbesimi i fëmijëve dhe kreativiteti i tyre. Prandaj një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së arsimit dhe shkencës është krijimi i një sistemi arsimor që është në interesin më të mirë të çdo fëmije dhe që i mundëson çdo nxënësi të arrijë potencialin e tij të plotë..

Këtë e potencoi ministri i arsimit dhe shkencës Jeton Shaqiri gjatë konferencës përmbyllëse të projektit “Arsim për bashkësitë më të vogla etnike” i cili u zbatua në katër vitet e fundit nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur- Maqedoni dhe Fondacioni për inciativa arsimore dhe kulturore “Hap pas hapi”, me mbështetje të MASH. Gjatë konferencës u prezantuan rezultatet e projektit të cilat siç tha ministri, do të jenë një burim i vlefshëm në përmirësimin e sistemit arsimor në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

„ Sot, 8300 nxënës në Maqedoninë e Veriut ndjekin mësimin në gjuhën turke në shkollat fillore dhe të mesme, 150 në gjuhën serbe, dhe 270 në gjuhën boshnjake. Arsimi në gjuhën amtare për këto bashkësi etnike vazhdimisht përmirësohet, dhe numri i nxënësve po rritet, që nënkupton përmirësimin e përfshirjes dhe integrimit ndëretnik në arsim“, tha ministri.

Ai shtoi se jetojmë në një vend me diversitet etnik, kulturor dhe fetar. Arsimi shkollor në gjuhët e bashkësive të vogla etnike është kusht për realizimin e të drejtave të tyre demokratike dhe për zhvillimin e një shoqërie civile gjithëpërfshirëse, por është i rëndësishëm edhe për faktik se ndikon që këto bashkësi të jenë më të dukshme dhe më të zëshme në shoqëri.

„ Është rruga e duhur për bashkëjetesë në kushtet e shumëgjuhësisë, multikulturalizmit dhe multietnicitetit. Në të njëjtën kohë, është një mundësi për bashkësitë e shumta etnike të fitojnë njohuri për kulturën dhe historinë e tyre“, potencoi.

Duke e njohur diversitetin si një thesar të vendit, Qeveria dhe MASH po punojnë fort për mbrojtjen dhe promovimin e tyre. Kjo askund nuk është më e dukshme sesa në arsim, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhët e komuniteteve të vogla etnike.]

Ministri informoi për disa nga aktivitetet e realizuara në periudhën e kaluar për avancimin e arsimit në gjuhën amtare për bashkësitë më të vogla etnike.

„ Me Konceptin e ri për arsimin fillor, që filloi të aplikohet këtë vit shkollor në klasën e parë dhe të katërt, iu përgjigjëm sfidës për sigurimin e materialeve mësimore sipas planprogrameve të reja në gjuhën boshnjake, serbe dhe turke. Me këtë u mundësohet fëmijëve të edukohen në gjuhën në të cilën janë rritur, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë identitetin e tyre gjuhësor dhe kulturor dhe përmes komunikimit gjuhësor të përcjellin trashëgiminë kulturore dhe kulturën e jetesës“, theksoi ministri.

Tha se për avancimin e kompetencave të arsimtarëve U organizuan trajnime
ndërsa shkollave ku zhvillohet mësim gjuhët e bashkësive të vogla etnike iu ndanë në mënyrë të barabartë materiale didaktike dhe tabela të mençura.
Edhe investimet që bëhen në infrastrukturën arsimore mbulojnë në mënyrë të barabartë të gjitha komunat, zonat urbane dhe rurale, pavarësisht nga përbërja etnike e popullsisë.
„Dëshiroj t’ju siguroj se si ministri vazhdojmë të përmirësojmë cilësinë e arsimit dhe ky projekt tregon se nuk jemi vetëm në përpjekjet për ngritjen e arsimit të komuniteteve të vogla etnike në një nivel më të lartë“, theksoi Shaqiri.

Projekti „Arsim për bashkësitë më të vogla etnike“ u realizua në periudhën 2019-2022 në 10 shkolla fillore ku zhvillohet mësim në gjuhën turke, serbe dhe boshnjake.