MASH do të paditet, shkak mungesa e librave në shkollat fillore!

Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi këto ditë do të bëjë padi kundër shtetit dhe Ministrisë së Arsimit për shkak të mungesës së numri të madh të librave në shkollat fillore. Nga 126 tekste për të gjitha lëndët në fillim të vitit shkollor, ministria nuk ka siguruar 43 libra gjegjësisht as 34%.

“Masa e shkeljes do të përcaktohet nga gjykata. Nuk do të paragjykoja asgjë, gjithçka është në dorën e gjykatës. Ne do të ofrojmë të gjitha provat dhe elementet që kemi siguruar”, tha Vesna Bendevska – Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Edhe pse ministri i arsimit Jeton Shaqiri u lëvdua se më shumë se 80 % e teksteve janë dorëzuar në shtator, shkollat thonë se shpërndarja po bëhet ngadalë. Me përjashtim të klasave të para dhe të dyta, tekstet për klasat e tjera nuk janë të kompletuara.

“Ne kombinojmë diçka që gjejmë nga tekstet e vjetra, bëjmë përpjekje, por rezultati nuk është ai që duhet. Në të gjitha klasat kemi shumë mungesa dhe tekste të shkatërruara”, tha Jordan Puroski- drejtor i SH.F “Kliment Ohridski”-Ohër.

Në arsyetimin e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për padinë thuhet se vendimi është marrë për shkak të shkeljes së të drejtës për qasje të barabartë në arsim cilësor të një grupi më të madh të nxënësve nga arsimi fillor, ku nuk janë siguruar tekste shkollore për secilën lëndë dhe në të gjitha gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi në arsimin e obligueshëm nëntëvjeçar. /Alsat.mk