Si rezultat i gabimeve të vërejtura në tekstin shkollor të Historisë dhe Shoqërisë për klasën e pestë, reagimet plotësisht të arsyetuara të opinionit dhe sipas shkresës së Shoqatës së Historianëve, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimi Pedagogjik informuan se do të formohet komision që do të shqyrtojë të gjithë përmbajtjen dhe do të jep propozim për korrigjimet përkatëse.
Siç njoftuan nga MASH, komisioni do të ketë afat të caktuar ligjor prej 10 ditësh për të dorëzuar raport tek Ministri i Arsimit dhe Shkencës, ndërsa më pas udhëzimet konkrete për veprim do t’i dërgohen operatorit ekonomik përgjegjës për redaktim grafik, përkthim, botim dhe shpërndarje të tekstit shkollor.
“MASH iu bën thirrje dhe trupave kompetent profesional që janë pjesë e procesit të miratimit të teksteve shkollore, që të vazhdojnë të punojnë në përmirësimin e përmbajtjes së teksteve shkollore të cilat përdoren në arsimin fillor dhe të mesëm. Gjithashtu, në tërë procesin do të vazhdojë të jetë i përfshirë opinioni, përkatësisht qytetarët të cilët kanë mundësi të dorëzojnë komente, sugjerime dhe vërejtje për tekstet shkollore në adresën elektronike books@mon.gov.mk”, informuan nga MASH.