Rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA i radhisin nxënësit e Maqedonisë së Veriut në vendin e 67 nga gjithsej 79 vende, ku është realizuar testimi, ndërsa të parafundit në rajon, duke e lënë prapa vetëm Kosovën. Bëhet fjalë për nxënës të shkollave të mesme të moshës deri në 15 vjet, të cilët janë vlerësuar me 393 pikë për aftësitë për të kuptuar atë që e lexojnë, 394 për matematikë dhe 413 për shkenca natyrore.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi ka theksuar se është i kënaqur nga këto rezultate, duke nënvizuar se këto janë rezultatet më të mira krahasuar me rezultatet e dy testimeve të kaluara.
Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Rezultatet që i kemi arritur në këtë testim janë më të mirat deri më tani, gjegjësisht janë përmirësuar ndjeshëm në krahasim me rezultatet që vendi ynë i ka arritur në dy testimet e mëparshme ku ka marrë pjesë. Organizatori i testimit PISA, konfimroi se jemi një nga shtetet me përparim më të madh ndërmjet dy testimeve.”
Ai shtoi më tej se ka përmirësime të konsiderueshme krahasuar me testimin e realizuar në vitin 2015, edhe atë në sferën e aftësisë për të kuptuar atë që e lexojnë nxënësit kanë përmirësime për 41 pikë, në sferën e shkencave natyrore për 29 pikë, ndërsa në matematikë ka përmirësime për 23 pikë.
Arbër Ademi, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Qeveria e RMV-së, Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe të gjitha institucionet dhe palët e përfshira vazhdojnë me zbatimin e reformave si dhe me ndryshimet të cilat nuk mund të ndodhin brenda natës, për të cilat nevojitet shumë angazhim, punë dhe aktivitet.
Në vend të parë të listë së OECD-së është ranguar Kina, në vendin e dytë Singapori, në të tretin Makao (Kinë) dhe Hong Kong (Kina). Nga vendet evropiane më e mira është Estonia, e cila ndodhet në vendin e pestë. Ndërsa vendet e rajonit të gjitha janë radhitur përpara Maqedonisë së Veriut, edhe atë Sllovenia dhe Mali i zi në vendin e 21, Serbia në të 45-tin, Mali i Zi në vendin e 53 dhe Bosnje dhe Hercegovina në vendin e 62-të. Në rajon më dobët ka dalë Kosova, e cila ndodhet në vendin e 75.
RMV-ja, përpara katër viteve ka qenë e ranguar në fund të listës në botë, bashkë me Tunizinë, Kosovën, Algjerinë dhe Republikën Dominikane. /SHENJA/