Komuna e Aerodromit, me rebalancin e buxhetit, siguroi para për të shpërblyer mësimdhënësit dhe punonjësit në shkolla për punën gjatë pandemisë. Secila shkollë do të marrë nga 4.000 euro nga Komuna, të cilat do t’u shpërndahen mësimdhënësve, shërbimeve profesionale dhe stafit teknik, raporton SDK, përcjell Portalb.mk.
Me rebalancin, secila shkollë në komunë do të marrë 500,000 denarë për higjienë dhe mirëmbajtje të vazhdueshme. Fonde janë siguruar edhe për asistentë arsimorë për nxënës me nevoja të veçanta arsimore nga klasa e parë deri në të tretën në vlerë prej 15.000 denarë. Po ashtu, është planifikuar një projekt i ri me vlerë 260,000 denarë, përmes të cilit nxënësve me nevoja të veçanta do t’u sigurohen aktivitete noti me instruktor. Katër shkolla fillore do të marrin projekte dhe raporte sizmike për zgjerimin e tyre, në vlerë prej 4.2 milionë denarë.
“Të gjithë kopshtet do të marrin një milion denarë për higjienë dhe mirëmbajtje të vazhdueshme dhe 18 milionë denarë për mirëmbajtje dhe rehabilitim të ndërtesave, ndërsa do të shkurtohet afati për zgjerimin e kopshtit “Kësulkuqja”, që do të fillojë në fund të vitit,. Me rebalancin e buxhetit, kemi ndarë fonde për 4 projekte të reja mjedisore, me të cilat presim të përmirësohen kushtet për jetë më të mirë të qytetarëve”, tha kryetari i Komunës së Aerodromit, Zllatko Marin.
Fondet shtesë do të mundësojnë realizimin e dy projekteve të reja për rregullimin e hortikulturës dhe tokës së sipërfaqeve të gjelbra në bulevardet “Jane Sandanski” dhe ASNOM prapa FFM, si dhe riorganizim të plotë të shërbimit komunal.
Përmes rebalancit të buxhetit janë siguruar edhe fonde për ndërtimin e pesë terreneve të lojërave dhe për rindërtimin dhe mirëmbajtjen e terreneve ekzistuese për fëmijë dhe sporte, të cilat do të përfshijnë instalimin e sipërfaqeve të reja dhe pajisjeve të reja, ndërsa në rrugët e Gorno Lisiçes do të vendosen sinjale horizontale dhe vertikale të trafikut.