Gara për rektor në Universitetin e Tetovës, problemet dhe nevojat, çfarë premtojnë kandidatët?

Universiteti i Tetovës ka probleme të mëdha, thanë në Click Plus të TV21 kandidatët për rektor.

Kandidatja Myqereme Rusi rikujtoi se si UT asnjëherë nuk ka pasur konkurs për rektor.

“Këtu nuk duhet të funksionojë zinxhiri, rektori edhe t’u dikton dekanëve por dekanati duhet të jetë institucion në vete, të zgjidhet dekani sipas rregullave që janë dhe do të funksionojë në mënyrë të rregullt dhe të lirë demokratike, nuk preferoj të diktohet nga lart kush do të jetë anëtarë senati, por lirshëm… -A ka qenë kështu tërë kohës? -Po gati-gati kështu ka funksionuar, gjatë kohë”, delaroi Myqereme Rusi, kandidate për rektore UT.

Profesori Bashkim Ziberi kritikoi udhëheqësinë e deritanishme të universitetit, duke numëruar mungesat, si një bibliotekë e denjë, vështirësi në rangimin e universitetit dhe ngecje në digjitalizim.

“Bota studentore këtu nuk ndihet aq e gjallë, duhet t’i lëmë studentët të zhvillohen duke u organizuar në mënyrë të pavarur, e jo vetëm t’i marrim kur të na duhen kartonë e të fotografohemi me grupe studentore. Nëse studentët nuk kanë përvojë në pjesën e organizimit në këtë pjesë, ne duhet të kërkojmë ndihmë edhe nga organizmat ndërkombëtare që studentët të zhvillojnë botën e tyre studentore, të nxisim vullnetarizmin studentor, t’i nxisim të marrin pjesë më shumë në unionin studentor e kështu me radhë”, tha Bashkim Ziberi, kandidat për rektor UT.

Internet ka, por mungon WI-FI dhe problemi më i madh qëndron tek infrastruktura vlerëson profesori Jusuf Zejneli.

“Pretendimi im është që të fuqizohet zyra për cilësi, të azhurnojmë mirë programet, vetë-evaluimin e brendshëm. Ne të gjithë kemi evaluim të brendshëm krahas të jashtmes dhe besoj se të gjitha këto rezultate që i marrim, ndoshta unë jam vetëkritik, dëshirojë që të bëjmë një rëntgen më të mirë, të shohim ku jemi më saktë, mund ta forcojmë edhe pak vetë-evaluimin, realizohet port ë shohim saktë ku jemi, si me teknologjinë dhe sa jemi inovativ para studentëve”, tha Jusuf Zejneli, kandidat për rektor UT.

Në mungesë të kompjuterëve dhe kushteve detyrohemi të rrimë në kafe tha profesori Dervish Alimi.

“Unë kam dhënë shembull për antilokalizmat se e urrej bajraktarizmin lokal, nuk na shërben në aspektin lokal ndasia. Duhet të bashkohemi dhe të bëjmë cilësi. Ne na duhen institute që të mund prej zyre të shkojmë të bëjmë kërkime shkencore, në mënyrë që të jemi më produktiv, por nuk e kemi, bibliotekën e kemi por leximore nuk kemi”, u shpreh Dervish Alimi, kandidat për rektor UT.

Në fund të debatit, kandidatët u pyetën se për cilin kandidat do të votojnë njërin prej tyre. Bashkim Ziberi u prononcua se do të votonte Myqereme Rusin. Dervish Alimi tha se do të votonte profesor Bashkim Ziberin. Myqereme Rusi do të votonte për Bashkim Ziberin, me arsyen se ka studiuar jashtë dhe do të mund t’i zbatonte trendet e ndryshme në universitet. Ndërkaq profesori Jusuf Zejneli nuk u prononcua nëse do të votonte për ndonjërin prej kandidatëve, por u bëri thirrje profesorëve dhe studentëve që ta mbështesin vetë atë.