Gabimet në librat e arsimit fillor, Shaqiri: Në fundjavë takim për përpilim të ligjit të ri

Në librat e reja të dedikuara për arsimin fillor sërish evidentohen gabime. Pas gabimeve në librin e historisë, gabime u evidentuan edhe në librin e gjeografisë. Për gabimet që po përsëriten kërkuam sqarim nga numri një i dikasteri të arsimit, Jeton Shaqiri. Sipas tij ligji aktual pamundëson Mashin të sanksionojë autorët dhe recensuesit. Për këtë shkak janë kërkuar ndryshime në ligjin aktual dhe deri në fundjavë do të ketë propozim nga drejtoria pedagogjike për përpilimin e një ligji të ri.

“Një ligj që do të ketë mundësi për t’i menaxhuar, sanksionuar, por edhe për t’i motivuar recensentët dhe të tjerët. Një ligj që do të ketë përshtatje më të mirë në procedura të mos ndodhin gabimet që kanë ndodhur ndër vite.”, – theksoi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.

Përskaj vërejtjeve në opinion dhe nga qytetarët, ende vërejtjet nuk ka arritur në adresë të MASh. Pas takimit me drejtorinë pedagogjike do të përcaktohen detajet se çfarë do të ndodh më pas me këto libra.

“Në qoftë se vlera e ndryshimeve është më shumë se 30 për qind më shumë brenda tekstit apo më pak, në rast se është më pak se 30 për qind do të bëhen korrigjime të caktuara, ka edhe mënyra ligjore si të printohet materiali i korrigjuar. Varësisht se si do të vendosë drejtoria pedagogjike, por është më i rëndësishëm dëmi nëse informata arrin deri te fëmijët dhe ne po shohim dhe arsimtarët të jenë të kyçur në këtë proces dhe këto të dhëna ne duhet ti shohim dhe duhet të kërkojmë përgjegjësi se ku është përgjegjësia.”, – u shpreh ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.

Një ndër gabimet në librin e gjeografisë me temë “Karakteristikat themelore të popujve të Evropës” thuhet se rasës së verdhë në Evropë i takojnë finlandezët, hungarët, turqit, tatarët dhe të tjerët.