Më shumë se 10 gjenerata të nxënësve që e kanë vijuar arsimin trevjeçar në Shkollën e mesme elektroteknike “Mihajllo Pupin” janë bërë teknikë të elektroteknikës, pa mësuar nga libri shkollor për lëndën themelore dhe kryesore, elektroteknikën. Për të qenë në gjendje të përvetësojnë materialin dhe të vlerësohen, ata kanë mësuar, por ende mësojnë nga ajo që e diktojnë profesorët ose doracakëve të tyre, e shpesh përdorin materiale nga Interneti, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
“Ky problem nuk është i ri, ka vite që është kështu. Shkolla jonë s’ka libra shkollorë për pothuajse asnjë lëndë profesionale. Ekzistojnë vetëm katër libra shkollorë në drejtimin e elektronikës dhe telekomunikimeve. Nxënësit e regjistruar në drejtimin e Energjetikës e kanë vetëm një libër shkollor ndërsa ju mungojnë libra shkollorë për të paktën gjashtë lëndë tjera. Në drejtimin e teknologjisë kompjuterike dhe informatikës ka vetëm dy tekste shkollore. Ky problem duhet patjetër të zgjidhet gradualisht”, thotë Dimitar Georgiev, drejtor i shkollës.
Ka disa vite që në këtë shkollë funksionon një paralele e EVN, në të cilën gjithashtu nuk mësohet nga librat shkollorë sepse mungojnë, por mësohet nga doracakët. Ka libra austriakë që mund të përdoren, por s’guxojnë të përdoren, për shkak se për të përdorur ndonjë libër në mësimdhënie, ai duhet të aprovohet dhe të kalojë të gjithë filtrat në përputhje me ligjet e Maqedonisë.
Tekstet shkollore mungojnë në të gjitha shkollat profesionale në vend. Nxënësit e shkollave të mesme s’kanë prej nga të mësojnë, sepse profesorët nuk janë të motivuar sa duhet për të aplikuar në konkurset që i shpall Ministria e arsimit dhe shkencës, sepse puna është e madhe ndërsa pagesa nga shteti është shumë e vogël.
Vanja Veleva, drejtoreshë e shërbimit pedagogjik, beson se faji për mungesën e teksteve shkollore nuk duhet të kërkohet në vetëm një institucion.
“Për ato lëndë për të cilat s’ka libër shkollor, profesorët duhet të jenë kreativ dhe të gjejnë mënyra për të ligjëruar materialin. Në Qendrën për arsim profesional ka këshilltarë që e inspektojnë punën e profesorëve të cilët u sugjerojnë mësimdhënësve dhe profesorëve cilat resurse mund t’i përdorin”, thotë drejtoresha.
Ajo informon se ka mungesë të autorëve për tekste në fushën e tekstilit, shëndetësisë, përpunimin e lëkurës dhe komunikacionit. Problem ka edhe me librat shkollorë të shkencave kompjuterike, një fushë e cila avancon vazhdimisht, ndërsa tekste shkollore s’ka. Për momentin MASH-i s’ka zgjidhje konkrete për këtë problem.