DEZINFORMIMI/ Lista e Shangait “lajm i vjetër” UKM nuk ekziston në listën e re

Universiteti “Sh. Kirili dhe Metodi”në Shkup nuk është fare në listën e Shangait të universiteteve më të mira, që publikohet nga Agjencia e pavarur konsulente “Shanghai Ranking Consultants”. Lajmi se UKIM ka shënuar ulje nga vendi 1917 në atë 1944 nuk i referohet renditjes së kësaj liste botërore të universiteteve. Në të njëjtën kohë, është lajm i vjetër që është publikuar një vit më parë, e që tani po keqpërdoret, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

E para që e ndau këtë informacion për gjoja rënien e UKM-së në listën e Shangait ishte zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.

Në një konferencë për media, të dielën, Miteva e kritikoi qeverinë për atë që ajo i quajti “kushte katastrofike dhe disfata të reja që po ndodhin në arsim”. Ajo e kritikoi onlajn mësimdhënien dhe marrjen e provimeve në internet në universitetet shtetërore, kurse si dëshmi të “politikave katastrofike arsimore”, Miteva e përmendi renditjen e UKIM-it në vendin 1,944 në listën e Shangait.

“Për fund, konfirmimin se arsimi është në fund të prioriteteve të kësaj qeverie e pamë në listën e Shangait ku UKIM është në vendin e 1944, që është një rënie prej 27 vendesh krahasuar me vitin e kaluar. UKIM është në listë pas Beogradit, i cili është në 500 universitetet më të mira, pas Zagrebit, Lubjanës dhe shumë fakulteteve të tjera në rajon. Çka po ndodh, a ka UKIM fare rektor dhe a do të bartë dikush përgjegjësi?”, pyeti Miteva në konferencën për media.

Lajmi për gjoja rënien e UKM u përhapur këto ditë në media të shumta, pa e kontrolluar vërtetësinë e tij, pra pa e konfirmuar vërtetësinë e asaj që pretendohet në deklaratë.

“Meta.mk” u përpoq të “vijë” deri te lista e Shangait të universiteteve në botë për vitin akademik 2021-2022 ku UKM gjoja ka “rënë”, por në faqen zyrtare të “Shanghai ranking” tregon se renditja e fundit është publikuar vitin e kaluar. Për më tepër, lista e Shangait përfshin 1000 universitetet më të mira në botë, jo 2000, që do të thotë se nëse UKM renditet në vendin 1944, nuk do të jetë fare në listën e Shangait.

UKIM është i renditur në vendin 1944, por jo në listën e Shangait

Renditja për të cilën foli Miteva duket se i referohet listës së publikuar nga Qendra për Renditjen e Universiteteve Botërore (CWUR), e cila është me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në këtë listë prej 2000 universitetesh, UKIM vërtetë u gjend në vendin 1944 dhe ka rënë për 27 vende në krahasim me renditjen e mëparshme, 2020, kur ishte në vendin e 1917-të.

Por kjo listë e CWUR është botuar pothuaj një vit më parë, në fund të prillit të vitit të kaluar.

Se të dhënat që i ndau Miteva në fakt kanë të bëjnë me këtë listë, e jo asaj të Shangait, vërtetohet edhe me faktin se Universiteti i Beogradit, të cilin e përmendi Miteva, me të vërtetë u gjend në top 500 universitetet, pra në vendin e 348-të. Në Listën e Shangait megjithatë, Universiteti i Beogradit është në 600 universitetet më të mira, jo në 500 universitetet më të mira.

Pyetje gazetareske për rënien e rrejshme të UKM-së në listën e Shangait iu drejtua edhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili njoftoi se do të takohet me rektorin e UKIM-së, Nikolla Jankulovski, për të parë se çfarë mund të bëjë shteti dhe çfarë mund të bëjë vetë universiteteti”.

“Të gjitha universitetet vlerësohen në bazë të standardeve të një organi të pavarur për vlerësim të universitetit. Universitetet në vendin tonë janë të pavarura në zbatimin e politikave të tyre arsimore dhe kërkimore dhe sigurisht kriteret mbi bazën e të cilave bëhet vlerësimi dhe çfarë kanë bërë të gjitha universitetet individualisht varet nga renditja e në listën e Shangait. Sa i përket asaj nëse shteti mund të ndihmojë, gjithsesi shteti mund të ndihmojë, unë vij nga sfera akademike dhe sigurisht që do të zhvilloj një takim me rektorin e UKIM-it, me të cilin njihemi prej kohësh që të shohim se çfarë munde të bëhet, Çfarë mund të bëjnë vetë universitetet sa i përket promovimit të operacioneve, kërkimit dhe sigurisht ngjitjes në listën e Shangait,” tha Kovaçevski.

Krahas reagimit të kryeministrit, në disa mejnstrim media dhe televizione të licencuara kombëtare që transmetojnë në tërë territorin e shtetit u publikuan analiza të gjera të cilat bazohen në lajme të vjetra apo të dhëna të shtrembëruara.