Te premten do të mbarojë mundësia e studentëve të Maqedonisë së Veriut për të aplikuar për bursë studentore, ndërsa studentët që e kanë fituar tashmë këtë të drejtë, do të mund deri më 30 tetor të dorëzojnë dokumentet, transmeton Portalb.mk.
“Nga ky vit, procedura për aplikim për bursë është digjitalizuar përmes portalit e-shërbime, i cili thjeshton ndjeshëm mënyrën e ushtrimit të së drejtës. Studentët që nuk kanë mundësi të aplikojnë në mënyrë elektronike, plotësojnë fletëaplikim në letër (listë evidentuese) dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, sqarojnë nga Ministria, duke përkujtuar që ka pasur rritje të bursave këtë vit.
Ministria sqaroi që deri më 30 tetor do të jetë e hapur mundësia që studentët që tashmë janë fitues të bursës të dorëzojnë dokumentet në formë elektronike ose në objektin e MASH-it.
Dokumentet që duhet të dorëzohen janë: vërtetim për regjistrimin e semestrit të ardhshëm, gjegjësisht vitin e studimit, certifikatë / vërtetim për provimet e parapara dhe të dhëna me sukses nga vitet e kaluara dhe indeksin në shikim, si dhe dëshmi që ka dhënë 80% ose 90% (varësisht nga lloji i bursës që shfrytëzon) të provimeve të parapara.
Ndryshe, Ministria e Arsimit dhe Shkencës informon se deri më 31 tetor mund të aplikohet përsëri për Thirrjen Publike për realizimin e së drejtës për racion studentor të subvencionuar. Afati i vlen për të gjithë studentët e sapo regjistruar, por edhe për ata që plotësojnë kërkesat, por që nuk kanë arritur të aplikojnë dhe realizojnë këtë të drejtë brenda afatit të parë.