Ekipe të Ministrisë së Arsimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës në periudhën e ardhshme do të punojnë në mënyrë intensive në dokumente, për të cilat do të vërtetohet mundësia për bashkëpunim dhe avancim të sistemit arsimor si bazë për zhvillim të dy vendeve.
Kjo ka qenë tema e bisedës së sotme të takimit në Shkup, mes ministreve të Arsimit të të dy vendeve, Milla Carovska dhe Arbërie Nagavci, takim i cili është rezultat i seancës së përbashkët të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës që muajin e kaluar u mbajt në Shkup.
Në deklaratën për mediat pas takimit, Carovska kumtoi se me Nagavcin kanë diskutuar për konceptin e ri të arsimit, i cili zbatohet në sistemin tonë arsimor, për digjitalizimin dhe për sfidat në arsimin e lartë, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe diturive të institucioneve të arsimit të lartë.
“Konsiderojmë se dy vendet tona, që kanë sfida të ngjashme, duhet të bashkëpunojnë në mënyrë më intensive. Kam nderin që për vizitë në vendin tonë sot është ministrja e Arsimit të Kosovës dhe me ekipin e saj biseduam për bashkëpunimin e mundshëm dhe për thellimin dhe shkëmbimin e përvojave. Biseduam për nënshkrimin eventual të memorandumit të bashkëpunimit dhe për marrëveshje dhe program për bashkëpunim në periudhën e ardhshme”, theksoi Carovska.
Kënaqësi nga takimi dhe nga mundësia e bashkëpunimit shprehu edhe ministrja kosovare e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacioneve, Arbërie Nagavci.
“Kishim nderim të bisedojmë për bashkëpunimin në vitet e ardhshme. Biseduam për marrëveshje edhe për projekte konkrete, në të cilat mund të punojmë në të ardhmen në arsimin shkollor dhe të lartë dhe t’u japim më shumë mundësi të rinjve të të dy vendeve”, tha Nagavci, duke shtuar se si vende fqinje dhe mike të mira do të punojnë në projekte për të mirën e të gjithë të rinjve.
Në konferencën për shtyp në të cilën ministrja kosovare foli në gjuhën shqipe dhe angleze për shkak të përkthimit joadekuat në gjuhën maqedonase, mbajti fjalim edhe zëvendësministri Arafat Shabani, i cili theksoi se nuk ka çështje të hapura në fushën e arsimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Takimi i sotëm në Shkup është fillimi i realizimit të qëllimeve të cilat dy vendet i kanë projektuar – kyçjen drejt bashkimit Evropian, por edhe në hapësirën botërore moderne të arsimit. Mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës nuk ka çështje të hapura në arsim, ndërsa ka dëshirë për hapje të mundësive të reja për bashkëpunim dhe shpresoj se takimi ynë do të jetë shtytës në këtë drejtim”, shtoi Shabani.