Një studim në Britani zbuloi se shkollat që ndaluan celularët kanë rezultate më të mira akademike, por çfarë mendojnë në Nju Jork për këtë çështje dhe cilat janë argumentet pro dhe kundër celularëve?
Një kërkim zbuloi se efekti i ndalimit të celularëve në shkollë është i barasvlefshëm me një javë shtesë të orëve mësimore gjatë gjithë vitit. Gjithashtu u zbulua se ndalimi i celularëve do të kishte pasoja më pozitive mbi studentët me nevoja të veçanta edukimi dhe ata që janë në shkolla me vakte falas.
Ja një pyetje që i mban disa prindër zgjuar gjatë natës. A duhet të lejohen fëmijët të mbajnë celularë në shkollë? Tani ekonomistët pretendojnë se kanë një përgjigje. Për prindërit që duan të zhvillojnë perspektivat akademike të fëmijëve, përgjigjja është jo.
Efekti i ndalimit të celularëve nga shkolla llogaritet si gati një javë edukim më tepër përgjatë një viti akademik të nxënësve, sipas studimit të Louis-Philippe Beland dhe Richard Murphy. Studimi u publikua në Qendrën për Performancë Ekonomike në Shkollën Londineze të Ekonomiksit.
Studimi i quajtur ndikimi i celularëve në performancë zbuloi se pasi disa shkolla ndaluan celularët, rezultatet e testeve të nxënësve të moshës 16 vjeç u përmirësuan me 6.4 për qind. Ekonomistët e kanë llogaritur këtë të barasvlershme me realizimin e pesë ditëve shkollë gjatë vitit.
Zbulimet do t’i shtohen debatit rreth aksesit të fëmijëve në celularë. Në Britaninë e Madhe, më shumë se 90 për qind e adoleshentëve zotërojnë një celular, në SHBA, rreth një nga katër fëmijë ka një syresh.
Dominimi i pajisjeve teknologjike është një problem për mësuesit, të cilët tanimë hasen me këtë fenomen kaq të përhapur.
Në një sondazh të kryer në vitin2001, asnjë shkollë nuk i kishte ndaluar celularët. Deri në vitin 2007, numri ishte rritur në 50 për qind dhe në vitin 2012 rreth 98 për qind të shkollave nuk lejonin celularët në ambientet e tyre ose kërkonin që ata të dorëzoheshin në fillim të ditës.
Megjithatë, disa shkolla kanë filluar të lejojnë përdorimin e kufizuar të tyre. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, hoqi një ndalim 10-vjeçar të telefonave në shkollë, ku këshilltari i shkollave të qytetit u shpreh se do të pakësonte pabarazinë.
Kjo pikëpamje është e gabuar sipas Beland dhe Murphy, që zbuluan se ndalimi prodhoi përmirësime në rezultatet mësimore mes nxënësve. Nxënësit me arritje të dobëta përfituan dyfishin krahasuar me nxënësit mesatarë.
Ndalimi kishtendikim më të madh te nxënësit me nevoja të veçanta në edukim dhe tek ata që merrnin pjesë në shkolla me vakte falas, ndërsa nuk kishte efekt te nxënësit e shkëlqyer.
“Ne zbuluam jo vetëm se u përmirësuan arritjet e nxënësve, por edhe se nxënësit më të dobët dhe ata me të ardhura të pakta fituan më shumë. Ne zbuluan se ndikimi i ndalimit të celularëve për ata nxënës ishte sa të mësohej edhe disa ditë më tepër”, – u shprehën studiuesit.
Me gjithë dëshirën e mirë për të respektuar lejimin e celularëve në shkolla, ndalimi i tyre u sjell avantazhe akademike.
Studimi u krye në Britaninë e Madhe dhe mori parasysh karakteristika si gjinia, gjendja ekonomike, statusi i nevojave të veçanta arsimore dhe arritjet e mëparshme edukative.
Përparimet teknologjike shihen shpesh si nxitëse të produktivitetit. Teknologjia moderne përdoret në klasa për të ndihmuar më shumë studentët në vizualizimin e shembujve. Megjithatë, ajo mund të çojë në shpërqendrim.
Nga ana tjetër, personat që mbështesin lejimin e celularëve në shkollë japin këto arsye:
- Celularët mund të shërbejnë për të gjurmuar aktivitetin e fëmijëve. Programe të caktuara mund të shërbejnë për t’iu lejuar prindërve të kontrollojnë në çdo kohë se çfarë veprimesh kryejnë në celular fëmijët dhe të gjejnë në kohë reale vendndodhjen e tyre.
- Celularët shërbejnë si mjet emergjence. Ndalimi i celularëve në shkolla mund t’i nxisë shumë fëmijë të mos i marrin fare me vete. Por celularët përdoren edhe si mjet komunikimi për situata tepër të vështira dhe kur fëmija ka nevojë për ndihmën prindërore.
- Celularët mund të rikujtojnë gjëra. Çdo celular ofron mundësinë e mbajtjes së shënimeve dhe aktivizimit të rikujtimeve për çdo rast nëpërmjet “një blloku shënimesh”.
- Aksesi i lehtë në internet. Shpejt dhe lehtë, fëmijët mund të kenë në çdo kohë akses në internet falë celularëve të tyre. Për të zbuluar çdo pyetje që mund të kenë, ata mjafton të kërkojnë materialin e dëshiruar dhe të marrin një përgjigje të saktë.
- Celularët mund të përdoren si mjet masiv komunikimi. Duke krijuar rrjete të tilla komunikimi ose duke shfrytëzuar ato aktuale, mësuesit mund ta përdorin celularin për të shpërndarë informacion më shpejt. Ata mund të qëndrojnë në kontakt edhe me prindërit e fëmijëve.
/Gazeta-shqip/