Trendet aktuale demografike në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk janë të favorshme. Shteti përballet me lëvizje negative demografike dhe kjo manifestohet me rritje të emigrimit në vendet e huaja, tha rektori i Universitetit “Nëna Tereza” në Shkup, Izet Zeqiri, në Konferencën Ndërkombëtare për Emigrim të quajtur “Njerëz në lëvizje, shtetësi, identitet dhe zhvillim”.
Sipas rektorit Zeqiri, potenciali demografik i një shteti është parakushti kryesor për zhvillim dhe krijim të çfarëdo lloj politikave dhe projektimin e zhvillimit të ardhshëm ekonomik, politik, arsimor, shëndetësor dhe zhvillim tjetër. Ai theksoi edhe se popullsia është një nga faktorët më të rëndësishëm të shoqërisë, të zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Popullsia siç theksoi rektori ka rëndësi të madhe për vëllimin, strukturën dhe zhvillimin jo vetëm të prodhimtarisë por edhe të aktivitetit gjithëpërfshirës ekonomik të një vendi.
“Sot në Maqedoninë e Veriut ka rajone në të cilat grupmosha mbi 65 vjet dhe më shumë përbën mbi 20 për qind të popullsisë së përgjithshme, ndërsa popullsia e re deri 20 për qind që është situatë alarmante. Në sferën e ekonomisë plakja ndikon ndaj rritjes ekonomike, kursimit, investimeve, prodhimtarisë, fuqisë së punës, pensioneve, tatimeve. Në kuptim social plakja ndikon edhe ndaj strukturës së familjes dhe rregullimin e jetës, kërkesës së amvisërive, trendeve emigruese, epidemiologjisë dhe mbrojtjes shëndetësore”, tha Zeqiri.
Në konferencë pati fjalim edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, e cila theksoi se përmes përmirësimit të kushteve për punëtorë të huaj dhe thjeshtësimin e procedurave ligjore, shteti kontribuon në uljen e deficitit të fuqisë së punës.
“Në kontekst të shtetit tonë sipas statistikës së KB-së vlerësohet se në periudhën ndërmjet vitit 1990 dhe 2019, më shumë se 200.000 maqedonas kanë shkuar jashtë vendit për jetë më të mirë, me çka emigrimi i përgjithshëm arriti 32 për qind të popullsisë së përgjithshme”, theksoi ministrja.
Sipas Trençevskës, tregu i punës në shtet funksionoi shumë mirë gjatë dekadës së kaluar.
“Edhe pse shkalla e pjesëmarrjes po rritej ngadalë, shkalla e punësimit dhe e papunësisë shënoi përmirësime të ndjeshme. Shkalla e punësimit (15-64) u rrit nga 44% në vitin 2011 në 54.7% në 2019, ndërsa shkalla e papunësisë (15-64) u ul nga 31.9% në 17.5% në të njëjtën periudhë. Të rinjtë, të cilët janë përballur me pengesa të ndryshme në tregun e punës, tani përballen me kushte më të favorshme, të cilat janë ende larg kushteve që ekzistojnë në BE-27. Shkalla e papunësisë tek të rinjtë ra nga 55,5% në vitin 2010 në 35,8% në vitin 2019”, tha Trençevska.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, tha se qëllimi strategjik i Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është përmes investimeve në arsim cilësor të inkurajojmë rritje ekonomike të shpejtë më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme. përvojat nga vendet e zhvilluara për të cilën përpiqemi, tregojnë se arsimi cilësor i rrit të ardhurat gjatë jetës dhe është një nga tre segmentet kryesore, së bashku me shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, që ndikojnë në cilësinë e jetës, ndërsa me atë edhe pakësojnë rrjedhjen e trurit.
Që të sigurohet arsim cilësor, të krahasueshëm me atë të vendeve me sisteme të vërtetuara arsimore, është duke u zhvilluar reformë themelore e nëntëvjeçares e cila, siç theksoi zëvendësministri, ka për qëllim nxënësit gjatë arsimit fillor të marrin aftësi të të menduarit kritik dhe zgjidhjes së problemeve.
“Investimet në arsimin dhe krijimin e kuadrit profesional i cili është punësim i shpejt, janë kërkesat kryesore që i dëgjojmë nga të rinjtë. Prandaj po bëjmë ndryshime në arsimin e mesëm profesional që mundësojnë studimin e profesioneve të kërkuara nga kompanitë. Me anë të të mësuarit përmes punës praktike në kushte reale prodhimi, ju mundësojmë të rinjve të fitojnë kompetenca, njohuri dhe aftësi që i bëjnë ata më konkurrues në tregun e punës, por gjithashtu mundësojnë depërtueshmëri në universitetet”,tha Aliu.
Konferenca organizohet në partneritet me Universitetin në Sasari-Itali, Universitetin në Prishtinë-Kosovë, Universitetin “Shën Pali”-Ohër dhe organizatën joqeveritare “Legis” nga Shkupi.