Menjëherë pas përfundimit të serialit “Game of Thrones”, HBO doli me një fenomen të ri që mban emrin “Chernobyl”.
Seriali më i ri i HBO-së – që tregon historinë e vërtetë të katastrofës bërthamore të vitit 1986 në Çernobil – ka thyer çdo pritshmëri dhe çdo rekord të mundshëm, duke marrë veç audiencës edhe vlerësimet maksimale nga kritika.
Ashtu siç ndodhi me qytetin e Dubrovnikut në Kroaci me “Game of Thrones”, po ndodh edhe me Çernobilin, me numrin e turistëve që është rritur ndjeshëm në qytetin fantazmë.
Sipas një agjencie turistike në vend, kërkesat dhe prenotimet për të vizituar qytetin janë rritur me 40 për qind që prej fillimit të serisë.
Një vizitë ka një kosto mesatare prej rreth 100 dollarësh për person. Zona rreth e rrotull fabrikës i ngjason një skene post-apokaliptike, dhe për këtë edhe interesi i vizitorëve është i lartë. Edhe agjenci të tjera turistike flasin për një rritje të çuditshme të numrit të turistëve, me rreth 30-40 për qind. Madje, një prej agjencive ofron një tur të veçantë për të gjitha vendet që shfaqen në seri, përfshirë edhe bunkerin ku merret vendimi për të mos evakuuar banorët pas shpërthimit.
Sipas zyrtarëve rus, aksidenti shkaktoi 31 viktima menjëherë, ndërkohë që mijëra të tjerë vdiqën më pas. Sipas një studimi bjellorus, numri total i viktimave të shkaktuara përllogaritet deri në 115 mijë, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë flet për nëntë mijë. /Scan/