Digjitalizimi i universiteteve, mbështetje dhe ndihmë më e madhe nga shteti, mësimdhënie praktike cilësore, qasje inovative të profesorëve dhe buxhet më i madh për arsimin e lartë kërkojnë studentët në vend. Ata i adresojnë kërkesat e tyre në Ditën Ndërkombëtare të Studentëve, 17 Nëntor. Kjo datë e shënon përvjetorin e inkursionit nazist në Universitetin e Pragës në vitin 1939, kur tetë studentë dhe një profesor u vranë dhe më shumë se 1200 studentë u dërguan në kampet e përqendrimit, pas së cilës u mbyllën të gjitha universitetet çeke, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Edhe pse sot universitetet dhe studentët nuk sulmohen nga nazistët, ne vazhdojmë ta festojmë këtë ditë, sepse lufta studentore ende vazhdon, thotë Eva Cvetkovska, kryetare e Kuvendit Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi në Shkup (KSU UKIM).
Kemi nevojë për më shumë autonomi financiare dhe për të hequr qafe varësinë e vazhdueshme nga një milion institucione të ngathëta dhe të ngadalshme, apo nga situata politike, e cila në fund të fundit nuk duhet të na shqetësojë vërtet. Aktualisht, ligjet dhe procedurat burokratike na vënë në pozitë që të varemi, të presim dhe të lutemi dhe në këtë mënyrë na mbytet zëri, i cili përndryshe do të jehonte”, thotë Cvetkovska.
Ushqimi i studentëve dhe rritja e bursave, por kostot shkaktojnë presion
Për pyetjet që u bënë në faqe “Studentarija“ në Instagram, studentët theksuan sfidat më të mëdha me të cilat përballen në rrugën drejt diplomimit.
Sipas përgjigjeve, ata janë më së shumti të shqetësuar si t’i lidhin financiarisht ditët studentore.
Që nga ky vit, në mes të krizës shëndetësore, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka ndërmarrë një sërë masash në ndihmë të studentëve, duke përfshirë rritjen e bursave dhe një vakti të subvencionuar të studentëve.
Këto masa janë shumë të dobishme për jetën studentore, por ngarkesa financiare që nevojitet për të studiuar na bën presion, thonë studentët.
“Sfida më e madhe është të mbijetosh si student. Jam studente me kohë të plotë dhe njëkohësisht punoj për të përballuar shpenzimet e studimeve. Është shumë e vështirë për mua, por nuk dorëzohem”, tha një studente.
“Bursat dhe vakti i subvencionuar si plus të ardhura janë ndihmesë e madhe. Por bursa sociale është e vogël. Shuma që marrim nuk mjafton për të blerë libra dhe gjërat e nevojshme për të studiuar, e lëre më për jetën studentore”, tha një tjetër studente.
Barrën financiare, sipas lideres së studentëve të UKIM, duhet ta merr shteti.
“Barrën financiare që e bartin studentët për të kaluar ditët studentore duhet t’i merr shteti. Nëse prioritet i një vendi është rinia e zgjuar, atëherë shteti duhet të investojë në ne dhe të na mundësojnë rehatinë që t’i përkushtohemi studimeve, sepse nuk kemi kohë të gjejmë punë dhe të studiojmë”, tha Cvetkovska.
Onlajn ligjërata pa praktika, studentë dhe kuadro të pamotivuar
Problem tjetër gjatë studimit është mungesa e praktikës në shumë prej programeve studimore, për shkak të së cilës studentët frikësohen se do të mbeten të paditur dhe të papërgatitur për të hyrë në tregun e punës. Mungesa e mësimit praktik është theksuar veçanërisht në dy vitet e fundit, kur për shkak të pandemisë, studentët filluan të ndjekin mësimet onlajn.
“Unë jam studente në Fakultetin e Shkencave Mjekësore në UGD, por nuk mund të quhem fizioterapiste e ardhshme, sepse nuk e kam më të rëndësishmen, nuk e kam praktikën, nuk kam pasur mësues që të më sugjerojë dhe me thuaj qe kjo qe po bej nuk është e drejte . Ne do t’i trajtojmë njerëzit nesër, por si? Çdo fakultet ka peshën e vet, secili ka nevojë për praktikë”, thotë një studente e Universitetit të Shtipit “Goce Dellçev”.
Onlajn mësimi, i cili aktualisht është modeli më i zakonshëm i mësimdhënies në universitetet në të gjithë vendin, ndikon negativisht në cilësinë e arsimit. Studentët thonë se nuk kanë motiv e as vullnet për të mësuar e për të ndjekur leksionet dhe pranojnë se kur i japin provimet nga shtëpia kopjojnë. Nga ana tjetër, profesorët thonë se u mungon kreativiteti dhe një qasje novatore në prezantimin e mësimeve.
Me këtë pajtohet edhe Cvetkovska, e cila thotë se ka frikë që mësimi onlajn do të bëhet një sfidë edhe më e madhe në të ardhmen, me të cilën do të duhet të përballen këto gjenerata të studentëve për shkak të situatës aktuale.
“Onlajn mësimdhënia ndikon seriozisht në cilësinë e arsimit të lartë dhe shpresoj që të gjenden sa më shpejt mënyra për t’u rikthyer me prezencë fizike për të amortizuar pasojat. Përveç cilësisë së arsimit të lartë, bie edhe motivimi i studentëve, i cili sipas meje në masë të madhe varet nga miqësia dhe ndjenja e të qenit student dhe komuniteti që duhet të shënojë këtë periudhë të jetës sonë”, tha Cvetkovska.
Standardi studentor po ndërtohet ngadalë, studentët të vazhdojnë t’i “lodhin” institucionet
Mendimet e studentëve për standardin studentor janë të ndara. Shumica janë dakord se masat e marra nga autoritetet për të mbështetur studentët lehtësojnë ndjeshëm jetën e prekur nga kriza shëndetësore, por sistemi i mbështetjes duhet të jetë më i organizuar.
“Nëse deri një vit më parë standardi studentor ishte godinë e rrënuar me të gjitha rrënojat e mbetura të pazgjidhura, tani jemi në procesin e pastrimit të rrënojave të viteve të kaluara dhe hedhjen gradualisht themelet që për brezat e ardhshëm do të jenë mjaft të fortë për t’u ngritur. drejtimi i duhur mbi të gjitha ai që deri më tani është shkatërruar. Standardi studentor nuk është në nivel të lakmueshëm dhe ngritja e tij nuk shkon brenda natës, por gjithsesi mendoj se dalëngadalë po përmirësohet. Mbetet ne të jemi të durueshëm, të zgjuar dhe t’i lodhim të tjerët më shumë”, thotë liderja studentore e UKIM.
Cvetkovska shton se për dallim nga vitet e kaluara kur organet përfaqësuese të studentëve ishin organizata jolegjitime joqeveritare, tani ka përparim në dëgjimin nga institucionet për kërkesat e tyre.
“Bashkëpunimi dhe dëgjimi varet nga institucioni në institucion dhe nga çështja në çështje. Ne ia dolëm në luftën për të bërë presion që të përfaqësohemi në organet e Universitetit që marrin vendime që na prekin drejtpërdrejt, pra nga radhët e studentëve të ketë një anëtar me të drejta të plota në Bordin e Rektoratit, 9 senatorë në Senatin e Universitetit dhe një numër proporcional anëtarësh nga radhët e studentëve në punën e komisioneve të Universitetit. Në këtë mënyrë ne lëmë shumë pak hapësirë për manipulim dhe pozicionohemi si vendimmarrës. Normalisht, ka pyetje për të cilat ende nuk kemi përgjigje dhe vazhdojmë të shtyjmë për realizimin e tyre, por tani për tani mund të them se bashkëpunimi me UKIM është në rregull dhe ka vend për progres”, sqaron Cvetkovska.
Nga ana e institucioneve shtetërore, reagimet ndryshojnë – herë pozitive, herë negative dhe shpesh të vonuara. Studentët më së shumti fajësojnë MASH për mënyrën se si e “servon” vaktin e tyre studentor – me gabime sistemore dhe paralajmërime para padisë.
“Ne jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një vend me administratë të paaftë dhe të rrëgjuar, kështu që diçka që duket e lehtë dhe e thjeshtë, zvarritet dhe has në probleme të vazhdueshme në realizimin e saj”, tha Cvetkovska.
Ajo shton se studentët kanë anëtarë në organin e Rinisë MASH që shërben si kanal për drejtimin e kërkesave të tyre në Ministri. Ushqimi i subvencionuar i studentëve dhe rritja e bursave ishin kërkesat e vendosura nga Deklarata për rininë, arsimin dhe ardhmërinë dhe MASH i pranoi.
“Çdo ditë hasim probleme në realizimin e tyre, por duke e shikuar anën pozitive mund të them se këto dy masa i vendosin bazat për përmirësimin e krejt situatës”, tha Cvetkovska.
Cvetkovska shton se insistojnë në rritjen e buxhetit për arsimin, i cili aktualisht në vend përbën 3,5 për qind të buxhetit, ndërsa standardi në vendet e zhvilluara evropiane është 5 për qind.
“Sistemi i arsimit të lartë publik në Maqedoni ka nevojë për një sistem të ri për financimin e arsimit të lartë. Shteti duhet të zhvillojë mekanizëm të ri për financimin e institucioneve të arsimit të lartë, i cili do të sigurojë autonominë financiare të universiteteve, si dhe do të garantojë stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri afatgjatë, sepse joefikasiteti aktual i tij reflektohet më së shumti në cilësinë e arsimit dhe standardin e studentëve“, pohon Cvetkovska.
Ndryshe, për studentët, masa më e dobishme që ata e gëzojnë është transporti publik falas në Shkup, për të cilin thonë se është një lehtësim i madh për buxhetin e studentëve. Kërkojnë kthim të biletave studentore falas për tren, si dhe kthimin uljen për vizita në teatro, kinema dhe muzeume.
Por çfarë pas diplomimit?
Sipas përgjigjeve të pyetjeve, shumica e studentëve përballen me sfidën se si të qëndrojnë në vendin e tyre, kur largimi u ofron jetë dhe prosperitet më të mirë.
Dyert drejt Perëndimit janë të hapura dhe nuk janë të vështira për t’u kaluar, ndërsa institucionet dhe kompanitë vendase nuk po bëjnë sa duhet për të mbajtur të rinjtë.
“Sfida më e madhe për mua është padyshim që kur të diplomohem të gjej një vend pune në punën e dëshiruar, të përshtatshme sipas profesionit tim, pa pasur nevojë të kërkoj lidhje. Me siguri do të më duhet të largohem nga vendi, megjithëse e dua shumë dhe dua të qëndroj këtu”, thotë një prej studenteve.
“Po pres ditën kur do të gjej një punë të përshtatshme për atë që kam mësuar ndër vite”, thotë një tjetër studente.
Mesazhe për institucionet
Studentët u dërgojnë mesazh institucioneve shtetërore, nën kujdesin e të cilave janë dhe kush duhet të kujdeset për ta.
“Të marrin seriozisht kërkesat tona dhe të mos na vënë në pozitë që të përdorim në mënyrë disproporcionale më shumë presion sesa është e nevojshme për të realizuar kërkesën tonë. Dua të shfrytëzoj rastin t’u dërgoj një mesazh studentëve se kemi nevojë për mbështetjen e tyre dhe se vetëm solidariteti dhe harmonia mund të bëjnë ndryshimin. Ne jemi vetë studentë dhe jemi gjithmonë në anën e tyre, të hapur për sugjerime dhe kritika dhe kemi nevojë për ndihmë dhe mbështetje nga i gjithë trupi studentor”, porosit Cvetkovska.
Studentët porositën se është e nevojshme të rinovohen materialet nga të cilat studiojnë, të cilat janë të vjetruara dhe përmbajnë materiale të panevojshme. Ata kërkojnë digjitalizim, mësim interaktiv, më shumë programe shkëmbimi të të rinjve dhe studentëve, por edhe më shumë ngjarje kulturore, biblioteka dhe salla leximi.
Ata që studiojnë në universitetet private i bëjnë thirrje shtetit që mos t’i diskriminojë dhe vendimet e marra të vlejnë edhe për ta.