SHËNDETI/ Ndryshimi i temperaturave mbush spitalet

Ndryshimet drastike të temperaturave ditore kanë shtuar ndjeshëm numrin e qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore. Mjekët thonë se teshtimat, dhimbjet e fytit, rrjedha e hundëve e simptome të ngjashme për këtë periudhë të vitit janë të zakonshme, megjithatë nuk janë grip sezonal por të ftohura si dhe infeksione të organeve të larta respiratore. Të vegjlit janë pacientët më të shpeshtë tek të cilët ndryshimet e motit ndikojnë shumë.

“Numri i të sëmurëve dukshëm është rritur, nuk është gjendja alarmante por ka një fluks të rritjes. Kemi temperature të natës 2-5 gradë, temperaturat e ditës kanë qenë rreth 30 gradë d.m.th. një variacion prej 25-30 gradëve Brenda 24h. Kjo ndihmon në paraqitjen e të ashtuquajturave të ftohura apo infeksione dhe paraqitet me rrjedhje të hundëve, teshtima, dhimbje të fytit, të veshit dmth kemi atakim të rrugëve të frymëmarrjes së sipërme”- tha  Sedat Limani, Mjek.

Mjekët rekomandojnë që përpara se të fillojë periudha e gripit sezonal nga 1 janari deri më 1 maj, të vaksinohen qytetarët me vaksinën kundër gripit sezonal. Ky rekomandim posaçërisht vlen për të sëmurët kronik, qytetarët mbi 65 vjeç dhe gratë shtatzëna.

“Është sezoni kur duhet të bëhet vaksinimi I popullatës me vaksinën për gripin sezonal se ajo vaksinë duhet të ketë kohë prej 40-45 ditë që të krijojë antitrupa kundër virusit sezonal. D.m.th. nëse tash vaksinohemi, do jemi të përgatitur deri në fund të tetorit, fillimit të nëntorit me qëllim që nga 1 janari të jemi të mbrojtur dhe të kemi një grip të lehtë sepse komplikimet e gripit sezonal pothuajse janë njësojë të rrezikshme si korona apo çdo lloj gripi tjetër që krijon infeksione të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes”- pohoi  – Sedat Limani, Mjek.

Vaksinimi kundër gripit sezonal duhet të fillojë gjysmën e dytë të tetorit ose në muajin nëntor. Për të sëmurët kronik, të moshuarit mbi 65 vjeç, dhe gratë shtatzëna derisa caktohet termin përmes mjekut amë, vaksina është falas. Për qytetarët tjerë vaksina kushton 800 denarë. Ndryshe, për çdo vit rreth 500.000 njerëz në mbarë botën vdesin për shkak të ndërlikimeve që shkakton gripi. 10% e këtyre rasteve ndodhin në Evropë.

Burumi: TV ALSAT