Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) shpall thirrje të hapur për projektin Superschools, shkëmbim i nxënësve të shkollave të mesme në Ballkanin Perëndimor, transmeton Portalb.mk.
“Thirrja është një mundësi për shkollat, nxënësit dhe mësuesit dhe synon të mbështesë procesin e pajtimit dhe ndërtimit të paqes, si dhe dialogun e mësimin ndërkulturor midis nxënësve dhe komuniteteve të tyre. Nëse përzgjidhen, shkollat e mesme me këtë program do të kenë mundësi për të realizuar shkëmbim ne ndonjë shkollë partnere dhe të marrin pjesë në aktivitetet e programit të dedikuara për ngritjen e kapaciteteve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit të tyre.” thuhet në komunikatë.
Programi, i cili do të zbatohet gjatë tre viteve të ardhshme, do të fokusohet në mbështetjen e shkollave për të zhvilluar dhe zbatuar shkëmbimet e të rinjve, për të hartuar një skemë rajonale të shkëmbimit të shkollave, e cila do të mundësojë që nxënësit e shkollave të mesme të përfshihen dhe të marrin pjesë në shkëmbimin afatgjatë të programit të RYCO.
Ftohet çdo shkollë e mesme, private ose publike, nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që të aplikojë. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga RYCO si pjesë e një projekti të Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) i financuar nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) dhe Bashkimi Evropian (BE).
Shkollat e interesuara duhet të regjistrohen në faqen e internetit www.superschools.net, të krijojnë profilin e tyre dhe të gjejnë një shkollë partnere nga rajoni i Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia). Në aplikimin e tyre, shkollat partnere duhet të identifikojnë dhe propozojnë aktivitete të përbashkëta, të cilat do të realizoheshin në kuadër t shkëmbimit. Viti i parë i programit të shkëmbimit do të realizohet nga shkurti deri në maj 2022 dhe secila shkollë do të organizojë një vizitë në shkollën partnere, me një grup prej 10 deri në 20 nxënës dhe një deri në dy mësues. Vizita duhet të zgjasë nga 6 deri në 10 ditë.
Nëpërmjet programit për shkëmbim, nxënësit dhe mësuesit do të kenë mundësi të udhëtojnë, të prezantojnë veten, shkollën e tyre dhe zakonet e nikoqirëve të tyre dhe të mësojnë gjëra të reja për komunitetet lokale në pjesë të ndryshme të rajonit.
Regjistrimi zgjat deri më 28 tetor, për më shumë informacione mund të vizitoni faqen www.superschools.net ose kontaktoni zyrën tuaj lokale të Thirrje e hapur për projektin “Super shkollat”, në kuadër të programit të RYCO për shkëmbim të nxënësve.