Sektori publik numëroi rreth 170 mijë të punësuar në fund të vitit të kaluar, por më shumë se 45% janë me arsim 8-9-vjeçar dhe të mesëm, teksa vetëm gjysma e punonjësve në sektorin publik janë me arsim të lartë.
Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave me arsim fillor ka ardhur në rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit.
Në vitin 2000, në sektorin publik, ishin të punësuar mbi 190 mijë persona, ku 15% e tyre ose mbi 30 mijë persona ishin me arsim 8-vjeçar. Në fund të vitit 2018, vetëm 7% e punonjësve të sektorit publik ishin me arsimin fillestar.
Pas vitit 2000 kanë pësuar rënie edhe punonjësit me arsim të mesëm, të cilët aktualisht përbëjnë 38% të totalit, nga 49% në fillim të viteve të 2000.
Nga ana tjetër është rritur dukshëm pjesa e të punësuarve me arsim të lartë, që në fund të vitit 2018 përbënin gati 54% të totalit te të punësuarve në shtet.
Pas vitit 2007, qeveritë forcuan kriteret e arsimit për pranimin në administratë, duke i stimuluar me paga më të larta. Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë u vunë si kushte diplomat e arsimit të lartë dhe masterat e nivelit të dytë. /Shekulli/