Schoolture TV

Dritare kulturore për të rinjtë

Fitër Bajrami festohet në Maqedoni dhe botën islame, gëzuar për shumë vite!

Një kremte e madhe për myslimanët e Maqedonisë dhe vendeve islame kudo në botë është festa e Fitër Bajramit, një festë që vjen pas 30 ditëve agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Gjatë këtij muaji myslimanët u përmbajtën nga çfarëdo ngrënie nga agimi i diellit deri në perëndim dhe ushtruan disiplinë shpirtërore.

Pasi të falet namazi i Fitër Bajramit, muslimanët urojnë njëri tjetrin me urimet më të ndryshme që përcjellin mesazhe paqeje, mirësie respekti, dashurie dhe mëshire. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Manifestimi qendror në Shkup u mbajt në xhaminë Mustafë Pasha, ku për shkak të numrit të madh të besimtarëve të pranishëm, përveç hapësirës së brendshme të xhamisë u mbush me besimtarë edhe oborri i xhamisë.

Në programin e organizuar nga ana e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, para namazin u kënduan ilahi në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi, në mesazhin e tij para besimtarëve porositi që të solidarizohen me ata që kanë nevojë.

“E lus Allahun Fuqiplotë, për hatër të Fitër Bajramit, që të gjithë muslimanët sot me kënaqësi e festojnë në botë, Allahu të na ndihmojë, të na përkrah dhe e gjithë mëshira dhe ndihma e tij të jetë me ne”, tha Rexhepi.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.