ANKESA NGA STRUGA/ Shumë premtime pak realizim në cilësinë e arsimit dhe infrastrukturën shkollore

Gjatë fushatës parazgjedhore në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kryetari i Komunës së Strugës Ramiz Merko, premtoi shumë investime për rritjen e cilësisë së arsimit dhe përmirësimin e infrastrukturës shkollore në rajon. Megjithatë, në prag të përfundimit të mandatit të kryetarit Ramiz Merko realizimi i premtimeve në këtë aspekt lë shumë për të dëshiruar, shkruan Portalb.mk.

Gjatë fushatës parazgjedhore në vitin 2017, në garën për kreun e Komunës së Strugës, kryetari aktual Ramiz Merko ndër tjerash u zotua për investime të mëdha të cilat do të rrisin nivelin e arsimit dhe do i përmirësojnë kushtet në shkollat e kësaj komune. Në Programin parazgjedhor (faqe: 11) ndër objektivat strategjike theksohet: Përmirësimin e infrastrukturës shkollore përfshirë edhe planifikimin më të mirë të hapësirave shkollore dhe hapjen e një biblioteke dhe leximore te re komunale, pajisjen me banka, karrige, dërrasa si dhe mjete të nevojshme për laboratorët dhe kabinetet e shkollave. Renovimin e tualeteve, rregullimin e sistemit të ngrohjes si dhe rregullimin e oborreve të shkollave.

Komuna e Strugës nuk ka përmbushur një sërë premtimesh në këtë fushë gjatë periudhës 2017-2021. Nuk janë krijuar programe të bursave për studentët në nevojë, nuk janë hapur qendra të reja për aftësim profesional, nuk janë krijuar programe të shkëmbimit të nxënësve nga Struga me vende të Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve dhe as programe për identifikimin dhe avancimin e talenteve të rijnë.

Qyteti i Strugës akoma nuk është bërë me një bibliotekë dhe leximore të re komunale.

Nga ana tjetër, pandemia globale COVID19  nxori në dritë kushtet e këqija higjienike në tualetet e disa shkollave në këtë komunë. Në shumë shkolla mungonte elementi bazë i higjienës, sapuni. Opinioni u njoftua me këtë fenomen përmes fushatës #skasapun  në shkurt të vitit të kaluar.

Sh.F Nuri Mazari-Dollogozhdë
Sh.F Nuri Mazari-Dollogozhdë 2
Sh.F Vëllezërit Milladinoci-Strugë
Sh.F Zini Hani-Veleshtë 2
Sh.F Zini Hani-Veleshtë
Shkolla e Mesme Niko Nestor-Strugë 2
Shkolla e Mesme Niko Nestor-Strugë

Premtimi për investim në infrastrukturën shkollore dhe përmirësim i cilësisë së arsimit, i theksuar në objektivat e para strategjike në programin “Për Komunën që duam”, në zgjedhjet lokale 2017-2021, vlerësohet si pjesërisht i realizuar. Në faqen e Komunës së Strugës janë publikuar disa promovime të projekteve të realizuara me sukses, si për shembull:

  • Izolimi dhe fasadimi i shkollës fillore në Strugë, “Vëllezërit Milladinovi”
  • Themelimi i “Shkollës Fillore Komunale të muzikës – Strugë”
  • Renovimi në shkollën fillore “Shën Kliment Ohridski” në Drasllajcë (me ndihmën e Programit të Granteve për Projektet e vogla të Japonisë – GGP, me asistencë në shumën prej 63,676 euro.)
  • Renovim dhe sallë sportive në shkollën “”Murat Labunishti” – Labunisht
  • Aksion dhurimi i 300 librave për çdo shkollë në Komunën e Strugës