Deri më 1 shtator, të gjitha shkollat fillore do të furnizohen me libra, për të cilat, të drejtat autoriale i ka dikasteri i Arsimit. Gjithashtu, ministrja e Arsimit, Mila Carovska tha se edhe klasat e para dhe e katërta janë gatshme për fillimin e vitit shkollor sipas konceptit të ri mësimor. Përvec prezantimit të matematikës digjitale për klasën e katërt, Carovska tha se në platformë tashmë po ngarkohen edhe librat tjerë digjital.
“Për klasën e parë gjithashtu janë përgatitur, po shtypen dhe po shpërndahen. Për klasën e katërt, librat digjital do të vendosen në platformë. Paisjet digjitale për nxënësit me rrezik social, tashmë janë shpërndarë 3 mijë, presim edhe 7 mijë të shpërndahen që të mund të gjithë fëmijët të mbulohen, ata të cilët vijnë nga familje me rrezik social”- deklaroi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
Carovska, sërish përsëriti se viti i ri shkollor do të filloj me prezencë fizike por duke ndjekur vazhdimisht gjendjen me Covid 19. Ndërkohë, në takimin me studentët e Fakultetit të shkencave kompjuterike, Carovska ftoi universitet të vendosin për modelin e mësimit në vitin e ri akademik.
“I ftoj të gjitha universitet, varësisht modelit që mendojnë për mësim, ti drejtohen komisionit për sëmundje infektive dhe bashkarisht të vendosin si më tutje dhe në bazë të cilave protokolle. Sepse, secili institucion ka specifikat e tij të punës ndërsa protokollet duhet të përshtaten”- pohoi Milla Carovska, ministre e Arsimit dhe Shkencës.
“Sa më shpejt duhet të kthehemi në bankat akademike. I ftoj të gjithë studentët të vaksinohen, ftoj institucionet përkatëse të ndihmojnë në këtë proces që të kthehemi në fakultete, duke siguruar teste shpejta ose pika vaksinimi në universitetin tonë”.
Viti i ri shkollor pritet të filloj më 1 shtator, me prezencë fizike ndërsa viti i ri akademik më 1 Tetor, por për mënyrën e realizimit të mësimit secili institucion akademik do të vendos veçmas.
Burimi: Alsat-M