Të martën, më 17 gusht, në afërsi të Tarvisio në Itali, kanë përfunduar xhirimet e filmit artistik Illyricvm, njoftojnë mediat kroate, përcjell KDP.
Filmi është në regji të Simon Bogojević Narath, prodhuar nga Kinorama e Zagrebit, kompania sllovene Forum Ljubljana, ajo italiane La Sarraz Pictures, Buka Production e Kosovës dhe SCCA e Bosnje dhe Herzegovinës / Pro.Ba.
Filmi është xhiruar në Bjelašnica në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Velebit në Kroaci dhe në provincën e Friuli-Venezia Giulia në Itali.
Filmi i parë për Ilirët, i drejtuar nga Simon Bogojević Narath, është një përpjekje e madhe në xhirimin e të cilit u përfshinë më shumë se tridhjetë aktorë dhe njëqind e pesëdhjetë punonjës filmash.
Skenari është shkruar nga Simon Bogojević Narath dhe Saša Podgorelec, drejtor fotografie është Aleksandar Kavić, skenograf Giorgio Barullo, kostumograf Zjena Glamočanin, mjeshtër maskash Ana Bulajić Črček, redaktor Damir Čučić, dizenjues zëri Julij Zornik dhe prodhues Ankica Jurić , Eva Borroman, Eva Rohrman, Fatmir Spahiu, Amra Bakšić dhe Adis Đapo.
Ansambli i aktorëve përbëhet nga aktorë nga Kroacia, Kosova, Sllovenia dhe Bosnja dhe Hercegovina, dhe në role të dukshme janë Filip Križan, Labeat Bytyçi, Ylber Bardhi, Robert Prebil, Franjo Dijak, Adrian Pezdirc dhe Ana Takač.
Filmi është një bashkëprodhim i pesë vendeve dhe u mbështet nga Qendra Audiovizive Kroate, Qendra Sllovene e Filmit, Qendra Kinematografike e Kosovës, Ministria Italiane e Kulturës, Komisioni i Filmit Friuli Venezia Giulia, Viba Film, Eurimages dhe Radio Televizioni Kroat. /KDP