Përmes një konkursi publik nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), është njoftuar se janë hapur rreth 500 vende të lira të punës për angazhimin e asistentëve arsimor për mbështetjen e fëmijëve me aftësi të veçanta të cilët ndjekin mësimin në shkolla të rregullta.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës thonë se qëllimi kryesor i tyre është të sigurojnë arsim kualitativ, mbështetje, respekt dhe qasje në arsim për çdo fëmijë. Sipas tyre, qëllim në vete është që ta ngritin vetëdijen qytetare për respektimin dhe pranimin e diversitetit shoqëror në mesin e fëmijëve. “Një nga qëllimet kryesore është fillimi i vitit të ri shkollor me kapacitete dhe mbështetje të forcuar, e cila do të sigurojë përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla të rregullta. Ne e mundësojmë këtë përmes një sërë aktivitetesh që zbatojmë bashkë me shkollat dhe në krijimin e materialeve të reja mësimore, por edhe duke krijuar ekipe gjithëpërfshirëse që do të mbështesin nxënësit në klasë”, deklarojnë nga MASH. Për këtë qëllim ministrja, Mila Caroska, ka bërë të ditur se njoftimi publik është në proces. Sipas saj, për këtë projekt nga buxheti i shtetit janë ndarë 59 milion denarë, shumë e cila për herë të parë zgjidh sistematikisht punësimin e asistentëve arsimorë. “Asistentët arsimorë do të kenë pagë mujore neto 24,000 denarë dhe do të punësohen në pesë shkollat fillore me qendrën burimore Zlatan Sremec dhe Idnina nga Shkupi, Instituti për Rehabilitimin e fëmijëve me probleme të dëgjimit, të folurit, zërit dhe probleme të tjera të zhvillimi”, tha Carovska.
Dekeftologu Boletin Zenuni, për gazetën KOHA, është shprehur se duke pasur parasysh se nxënësit me nevoja të veçanta i takojnë një kategorie të ndjeshme të shoqërisë, qasja institucionale viteve të fundit ka filluar të lëviz në favor të kësaj kategorie. “Pajtohem se nuk është e mjaftueshme, megjithatë ka dritë në fund të tunelit. Angazhimi i asistenteve nga ana e organeve kompetente për këtë kategori të nxënëseve shihet si një hap pozitiv drejt përmirësimit të jetës së tyre. Angazhimi i tyre do ta lehtësoj sadopak rrugën e mundimshme drejtë sfidave që ofron vetë jeta, por njëkohësisht do të paraqes dhe mundësi të mirë për të gjithë ata profesionistë të diplomuar të papunë që të jenë aktiv në pasurimin e aftësive dhe bagazhit të tyre profesional”, deklaroi ai. Ai për fund shton se nevoja për angazhimin e një numri më të madh të asistenteve arsimor për këtë kategori janë të mëdha. Ndryshe, asistentët arsimorë u ndihmojnë nxënësve me nevoja të veçanta përgjatë procesit mësimor. Sipas disa statistikave, pas mbarimit të shkollës tetëvjeçare, nxënësit me aftësi të veçanta, shumë pak e vazhdojnë shkollimin e mesëm. Kjo është edhe arsyeja se pse duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë kësaj kategorie dhe të merren masa urgjente dhe efikase për t’ju dalë në ndihmë.
Burimi: Gazeta KOHA