KURRË MA BABA S’I RA NANËS, SE NANA U SMU PREJ VEREMIT

Nga: Çun Lajçi

Vetëm pleqtë e fëmijët e shpendët zgjohen heret!

Si duket, vetëm ata ngihen mirë gjumë, se t’parët bien me fjetë, e kur nisin me i mundua andrrat, si shpendët që zbresin nga degët, këta dalin nga shtratiet.

Baba ishte mësua me ra heret e heret mu çua me falë sabahin! Nanës i duhej me dhezë zjarrmin, me mjelë lopën, atë gallujen që ia fali gjinia e vet n’Martinaj. Besa edhe me i harrnua çorapët e pantollat e shtatë djemve.

– Babës s’guxonte me ia prekë teshat! Ai tanë jetën mbeti kaçak!

Por, atë ditë ishte e xhuma (se dorën n’zemër, unë vonë e kuptova se quhej e premte), e baba duhej me shkua n’xhami. Mulla Hyseni dilte prej Pejës, e baba duhej me kanë n’xhami para tij.

Kur vonohej ky, hoxha i thoshte gjithçka. E randonte me fjalë e ky nxihej prej marres. Por, ne keshnim, se hoxha belbëzonte e mbetej gojëhapun, se i lidhej gjuha t’shkretit e s’i dilte kurrkund fjala.

Nana e dinte se xhumave për drekë e ka Mulla Hysenin. Besa edhe ndoj tjetër prej Rugovës Cirme (t’epërme), e duhej me qitë mazë t’zieme. Me iu zgjatë djathi deri pëmbi krye!

Por, për taksiratin e vet, atë nadje, heret ia kishte kepë nji pullë t’zezë n’këmishë, të fyti, e ky ishte ba vet i katërdheti.

– Qyshë me shkua n’xhami me balushën e zezë n’fyt? A po don me m’ba dhi ndër dhen e me m’keshë edhe hoxha edhe xhemati! A? Me nishana po don me ba kaçakun a? Fol bre cërnagorkë se t’vrava pushkë hekuri!

Dhe, si kje tue pshtjellë duhan, e gjuejti me kuti t’bakfonit n’sapot t’kresë.

Ajo veç e vuni dorën me mbulua fjollën e gjakut, mos me pa unë që rrisha tue i nxe duert te kaftorri, e përmes lotëve i tha:

– I malit ishe kur t’mora dhe i malit mbete! S’u zbute as kur t’linden djemtë as kur t’u banë për martesë vajzat! Mos shko n’xhami pa shpirt se s’rrehet Zoti. As hoxhën mos ma bje për drekë se s’kam mazë n’tinar ma. Ku me ta marrë pullën e bardhë, more faqebardhë! Mirë qe ta gjeta edhe t’zezën e mos me t’lanë me tu pa cullaku ndër xhematë e me t’keshë Rugova e Cirme! S’je tue ia dijtë takatin vetit! S’je ma as n’shpellë te Curri, as n’Galicë te Azemi, as n’Han te Jashari. T’kanë cofë morrat ty e mua e djemtë na kanë mbetë me do kërtolla e kaçela kallamoqi. Unë s’i lus ma Balidemajt me na e mbajtë shpirtin me bukë!

Foli Shekja tue fshi gjakun nga balli!

Heshti Alia tue lypë kutinë e duhanit nër krevatin me dërrasa!

Qava unë për nanën dhe shpejt hina nër jargan, se thashë tash iu ka derdhë duhani e ma vret nanën. Po, se shpesh thojke, me ba me mbetë pa duhan, pasha qelamullahun iu vras!

Fati e deshti mos me dalë atë ditë prej Pejës autobusi, e Mulla Hyseni mos me falë xhumanë, e babës mos me iu marrë fytyra për pullën e zezë. As nanës për mazën e zieme!

Të nesërmën e çuen nanën n’pital hipun n’kal, se i nxehej fryma e babën e ndëgjova tue i thanë: Bama hallall fisnike, se duhani m’u pat harxhua!

Kurrë ma baba s’i ra nanës, se nana u smu prej veremit, e ky e vajtonte n’heshtje!