Mohamedou Ould Salahi ishte për 14 vjet i burgosur në Guantanamo. Gjatë burgosjes ishte nënshtruar ndaj torturave dhe izolimit, por asnjëherë nuk u akuzua për asnjë krim. Libri i tij me kujtime, “Ditari i Guantanamos”, u bë bestseller ndërkombëtar dhe u adaptua në filmin “Mauritanezi” ku rolet kryesore i kanë Tahar Rahim dhe Jodie Foster, transmeton Telegrafi.
“Për Salahin fillimisht dëgjova në dhjetor të vitit 2014, kur redaktori im i atëhershëm në ‘Guardian’, Mustafa Khalili, kërkoi nga unë që ta bëj një film të shkurtë të animuar për kujtimet e Sahalit. Përmes atij projekti e takova avokaten e tij, Nancy Hollander, e nga aty nisën bisedat për mundësinë e një dokumentari”, thotë regjisori Laurence Topham.
Ditari u shkrua në Guantanamo. Aty përshkruhet rrugëtimi nga Mauritania në Jordan dhe nga Afganistani në Kubë. Ditari e shpërfaq një njeri të dhembshur, të ngrohtë dhe intelektual që u kap në rrjetën e paranojës masive të shkaktuar nga sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 (arrestohet më 2002).
“Mohamedou kishte shprehur interes për t’i dokumentuar në kamerë momentet e tij të para në liri, kështu që Nancy më ftoi të bashkohesha me të në Nouakshot, disa ditë pasi u lirua më 2016. Për fatin tim të mirë, Mohamedou është adhurues i madh i kinemasë (sidomos i komedive të Adam Sandlerit), kështu që u tërhoq nga ideja për një dokumentar”, thotë regjisori. “Unë dhe Mohamedou po ecnim në bregdet kur ai e merr një gur dhe e hedh në mënyrën që ngjan me David Attenboroughun: ‘E sheh këtë? Ky gur është shumë i rrallë dhe gjendet vetëm këtu, në Mauritani’. Qesha aq shumë sa nuk mund ta mbaja kamerën pa lëvizur. Mohamedou më vonë më tha se disa nga DVD-të e pakta te të cilat kishte qasje në Guantanamo ishin ato të serisë ‘Planeti i kaltër’ i BBC-së. I kishte parë qindra here, saqë e kishte zotëruar intonacionin e famshëm të Davidit. Ky ishte një shembull i shkëlqyeshëm se sa aftësi kishte për vëzhgim, për gjuhë dhe për humor. Në atë moment e dija se jam duke e filmuar një qenie të veçantë njerëzore”, thotë ai.
Historia se si u burgos dhe se çfarë i ndodhi atij në burg ishte aq dramatike dhe komplekse për një seri të tërë e lëre më për një film të shkurtër. Sfida tjetër kryesore ishte narrativa aktive…
“Kur më tha se është në kontakt me një roje amerikane nga koha e burgut dhe se kanë plan të takohen, e dija se kjo narrativë do ta mbante storjen të ndërlidhur”.
Pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, myslimanët shpesh poshtëroheshin dhe prezantoheshin keq në ekran. Të burgosurve nuk u garantoheshin të drejtat e njeriut.
“Guantenamo ishte shumë i suksesshëm në çnjerëzimin e njerëzve të burgosur”.
Megjithatë, padashur, Mohamedou dhe ish-roja i tij Steve Wood (të cilin s’e kishte parë për 13 vjet) i kishin kaluar këto ndarje të mëdha për ta parë njëri-tjetrin jo si instrumente të një ideologjie po si qenie njerëzore. Në një nga intervistat pas takimit të tyre, për amerikanin që e trajtoj si mik e si njeri e jo si armik, Mohamedou u shpreh: “I kapërcyem stereotipat, gjithë ato urrejtje. Nuk e bëmë këtë pas burgut, por në momentet më të errëta”.
Dokumentari “Rojtari i vëllait tim” përgatitet në vitet 2016-2019. Përfundon për Festivalin e Filmit “Tribeca” më 2020, por gjithçka dështon nga pandemia e koronavirusit. Megjithatë, u shfaq në 19 festivale ndërkombëtare duke fituar tri çmime. Së fundi ishte në listën e ngushtë të BAFTA-s për filmin më të mirë të metrazhit të shkurtë.