“News Of The World” e mban titullin filmi i ri i aktorit të njohur hollywoodian, i cili shquhet për aftësitë e tij, për të ekranizuar histori të veçanta me filmat e tij, Tom Hanks.
Gjysmë dekade pas përfundimit të Luftës Civile, kapiteni Jefferson Kyle Kidd, i portretizuar nga aktori Hanks, lëviz nga qyteti në qytet duke rrëfyer histori të vërteta të jetës dhe kohës. Duke qenë një veteran i tri luftërave, ai ka shumëçka për ta ndarë me njerëzit, duke treguar histori të ndryshme për presidentë dhe mbretëresha, si dhe luftëra të ashpra, ngjarje tragjike dhe aventura mbërthyese, të cilat kanë ndodhur anembanë botës. Teksa udhëton nëpër Teksas, kapiteni Kidd takohet rastësisht me një vajzë 10-vjeçaretë quajtur Johanna, e portretizuar në film nga Helena Zengel, e cila para gjashtë vjetëve është adoptuar nga fisi indian “Kiowa” dhe është rritur si një prej tyre. Pavarësisht se Johanna dëshiron të qëndrojë aty ku është rritur, pa dëshirën e saj, kapiteni Kidd pajtohet ta dërgojë atë tek familja e saj. Duke u përballur me forca të jashtëzakonshme të natyrës dhe sfida të shkaktuara nga njerëzit gjatë rrugëtimit, të dy duhet ta krijojnë një marrëdhënie mes vete dhe të punojnë së bashku nëse duan të mbijetojnë. Dhe përfundimisht ata e gjejnë vend të cilin mund ta quajnë shtëpi.
Në realizimin e këtij projekti Hanks ribashkohet me regjisorin e filmit “Captain Phillips”, Paul Greengrass, i cili e ka bërë regjinë e filmit, si dhe e ka shkruar skenarin e tij bashkë me Luke Daviesin. Skenari bazohet në romanin bestseller të autores Paulette Jiles.
Duke qenë se ishte lansuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikë në fund të vitit të kaluar, “News of the World” ka marrë vlerësime të mira nga kritikët e filmit, të cilët e kanë lavdëruar performancën e dy protagonistëve, Hanks dhe Zengel. Ata gjithashtu e kanë vlerësuar lart punën e regjisorit, si dhe filmin në përgjithësi. Madje ai është emëruar nga “The National Board of Review” si njëri prej dhjetë filmave më të mirë të vitit 2020.
“News of the World” u lansua në platformën Netflix, më 10 shkurt të këtij viti.