Përfundon takimi Carovska-Filipçe-UNSHM, vendoset si do të vazhdojë mësimi në gjysmëvjetorin e dytë

Mësimi në shkollat e mesme në vend, sikurse edhe në shkollat fillore, planifikohet nesër të fillojë në formën e njëjtë sikurse edhe në pjesën e parë të këtij viti shkollor.

“Mësimi në gjysmëvjetorin e dytë do të vazhdojë me masat dhe rekomandimet e njëjta, sikur deri më tani. Edhe në gjysmëvjetorin e dytë mësimi në shkollat fillore dhe të mesme do të vazhdojë të realizohet online”, raportojnë nga Ministria e Shëndetësisë, duke përjashtuar vetëm nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e tretë.

Ministria njoftoi se ky qëndrim vjen pas takimit të zhvilluar ndërmjet ministrit të shëndetësisë Venko Filipçe, ministres së arsimit Milla Carovska dhe Unionit të Nxënësve.

“Ndjekim gjendjen epidemiologjik dhe derisa në muajt e radhës do të tregohet stabilitet, do të sjellim vendime tjera, por ajo do të ndodhë kur të jemi të sigurt se trendi i rënies së rasteve të reja me kovid do të vazhdojë”, paralajmëroi Filipçe.

Ndryshe, Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme kishin paralajmëruar bojkotimin e fillimit të procesit arsimor nga 21 janar 2021, deri kur kërkesat e tyre të pranohen nga autoritet arsimore.